Organizata Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut – Kosovë (YIHR KS) ka publikuar raportin me temën “Qëndrimet e të rinjve ndaj luftës dhe krimeve të luftës në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.
Ky hulumtim është realizuar në bashkëpunim me Prof. Dr. Bekim Baliqi, dekan i Fakultetit të Filozofisë, Universiteti i Prishtinës.
Drejtoresha e YIHR-së në Kosovë, Marigona Shabiu, tha se Raporti paraqet një analizë të thellë mbi mënyrën se si përvojat e luftës dhe kujtimet kolektive ndikojnë në formimin e qëndrimeve të të rinjve.
“Ky raport na ofron një pasqyrë më të qartë për të ardhmen për mënyrën se si mund ta ndërtojmë së bashku paqen dhe të sigurojmë që drejtësia të vihet në vend. Me krenari dhe përgjegjësi e prezantojmë këtë raport kyç për procesin e ballafaqimit me të kaluarën, që përfshin të rinjtë dhe të rejat”.
“Siç dëshmon ky raport, trashëgimia e luftës ende ndikon ndjeshëm në gjeneratat e reja, në ata që nuk e kanë përjetuar luftën por që mbajnë peshën e saj përmes asaj që ne e quajmë ‘kujtesë e dorës së dytë’”, u shpreh ajo.
Autori i këtij hulumtimi, Bekim Baliqi, tha se hulumtimi është bërë me 807 të rijnë dhe të reja të moshës 18-30 vjeç dhe se pjesëmarrës kanë qenë nga të gjitha grupet etnike në Kosovë.
“Jemi munduar ta kuptojmë se si ka ndikuar mënyra e informimit apo çka ka qenë burim i informimit, pastaj cilat janë burimet e informacionit dhe si kanë ndikuar ato tek qëndrimet e tyre. Nëse e shohim, shumica e tyre kanë konsideruar se kanë njohur të përgjegjshme për të kaluarën dhe për neve ka qenë e rëndësishme se donim të dinim se sa për qind kanë njohuri më të specifikuar”.
“Si informohen dhe si kanë ndikuar dhe shumica kanë deklaruar se nga familja, nga rrethi familjar. Por gjithashtu edhe nga burimet online, përfshirë edhe mediat. Kjo ka ndikuar edhe në formimin e qëndrimeve. Prej 1 mijë të targetuar, kemi arrit t’i intervistojmë 807 perona”, shpreh ai.