YIHRK: Fushatat dhe programet politike të reflektojnë përkushtim ndaj të drejtave të njeriut

Prishtinë | 13 Dhj 2024 | 11:21 | Nga Gzim Mujaj

Aktivistët e shoqërisë civile, në ditën e fundit të Javës së të Drejtave të Njeriut nën organizmin  organizatës, Youth Initiative for Human Rights Kosovo, pas VV-së kanë vazhduar aksionin e tyre tek selia e PDK-së, raporton Ekonomia Online.

Ata para selisë së kësaj partie kanë mbajtur pankarta në duar me mbishkrimet që lidhen me sllogani e kësaj partie për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

Aktivistët para selisë së PDK kanë mbajtur pankarta me mbishkrimin “Kosova mundet më mirë pa Femicid”, “Kosova mundet më mirë pa Dhunë”, “Kosova mundet më mirë veç pa LGBTQI+ FOBI”.

Marigona Shabiu drejtoresh e YIHRK, ka thënë se në kuadër të këtij aksioni, po vizitojnë selitë e partive politike që garojnë në këto zgjedhje për të kërkuar që fushatat dhe programet e tyre politike të reflektojnë një përkushtim të sinqertë ndaj të drejtave të njeriut, barazisë dhe dinjitetit të çdo individi.

“Sot, në ditën e fundit të Javës së të Drejtave të Njeriut, YIHR po zhvillon një aksion simbolik pranë selive të partive politike, për të përcjellë një mesazh të qartë dhe të patjetërsueshëm: gjatë kësaj periudhe zgjedhore të ngjeshur me premtime e zotime, individësh e subjektesh politike, ne kërkojmë që diskursi politik të jetë gjithëpërfshirës, respektues dhe i mbështetur mbi parimet e të drejtave të njeriut”, tha ajo.

Shabiu tha se kërkojnë një vizion politik që ndërton një shoqëri ku të gjithë ndihen të parë, të vlerësuar dhe të respektuar.

“Ky aksion e tejkalon idenë e një thirrje për përgjegjësi ndaj aktorëve politikë, kjo është një përpjekje për të ngritur një standard të ri për fushatat zgjedhore dhe politike bërjen, një standard i tillë që i vendos në qendër njerëzit, shtynë përpara drejtësinë dhe promovon unitetin. Kërkojmë një vizion politik që ndërton një shoqëri ku të gjithë ndihen të parë, të vlerësuar dhe të respektuar, ekonomik. Pavarësisht prejardhjes, përkatësisë etnike, gjinisë, orientimit seksual apo statusit social”.

“Ftojmë të gjitha partitë politike dhe kandidatët për deputetë që të reflektojnë thellë mbi rolin e tyre në këtë proces. Mesazhi ynë është i qartë: Kosova ka nevojë për liderë politikë që marrin përgjegjësi për të ndërtuar një të ardhme të bazuar mbi të drejtat e njeriut, që luftojnë diskriminimin dhe pabarazinë dhe që garantojnë një shoqëri ku çdo qytetar ndihet i përfaqësuar dhe me dinjitet. Ne sot nuk kërkojmë vetëm fjalë; ne kërkojmë veprime konkrete që i japin jetë parimeve të lirisë, drejtësisë dhe barazisë për të gjithë. Në këtë ditë të fundit të Javës së të Drejtave të Njeriut, po e mbyllim këtë kapitull me një thirrje të fuqishme: është koha për një politikë që fuqizon njerëzit dhe respekton dinjitetin e tyre, ne kërkojmë liri, për ne liri do të thotë, fund dhunës, fund femicidit, fund diskriminimit, fund lgbtqi+fobisë.”, tha ajo.

LEXO EDHE:

Të ngjashme