Aktivistët e shoqërisë civile, në ditën e fundit të Javës së të Drejtave të Njeriut nën organizmin organizatës, Youth Initiative for Human Rights Kosovo, pas VV-së dhe PDK-së kanë vazhduar aksionin e tyre tek selia e LDK-së, raporton Ekonomia Online.
Ata para selisë së kësaj partie kanë mbajtur pankarta në duar me mbishkrimet që lidhen me slloganin e kësaj partie për zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.
Aktivistët para selisë së LDK-së kanë mbajtur pankarta me mbishkrimin “Bëhu ndryshimi jepi fund Femicidit”, “Bëhu ndryshimi jepi fund Diskriminimit”, “Bëhu ndryshimi jepi fund LGBTQI+ FOBI”.
Kristian Rrasaj nga YIHRK, ka thënë se ky aksion e tejkalon idenë e një thirrje për përgjegjësi ndaj aktorëve politikë.
“Kjo është një përpjekje për të ngritur një standard të ri për fushatat zgjedhore dhe politikëbërjen, një standard i tillë që i vendos në qendër njerëzit, shtynë përpara drejtësinë dhe promovon unitetin. Kërkojmë një vizion politik që ndërton një shoqëri ku të gjithë ndihen të parë, të vlerësuar dhe të respektuar, pavarësisht prejardhjes, përkatësisë etnike, gjinisë, orientimit seksual apo statusit social”, tha Rrasaj.
Ai ka ftuar partitë politike dhe kandidatët për deputetë që të reflektojnë thellë mbi rolin e tyre në këtë proces.
Kosova, sipas tij ka nevojë për liderë politikë që marrin përgjegjësi për të ndërtuar një të ardhme të bazuar mbi të drejtat e njeriut, që luftojnë diskriminimin dhe pabarazinë dhe që garantojnë një shoqëri ku çdo qytetar ndihet i përfaqësuar dhe me dinjitet.
LEXO EDHE: