Nëpërmjet rrjeteve sociale, yjet e sportit në pamundësi për të luajtur në prani të shikuesve, po mundohen të lidhen me ta në mënyrë nganjëherë befasuese.
Për kënaqësinë e tifozëve, që po janë të lumtur për të zbuluar disa fakte të idhujve, yjet nga Karim Benzema, te legjenda braziliane Ronaldo, madje edhe tenisti spanjoll Rafael Nadal, po përdorin rrjetet sociale për t’u lidhur me miliona përcjellës, shkruan agjencia AFP.
“Pasi që garat janë të pezulluara, sportistët dhe sportistet më nuk janë me çdo kusht në monitorim të zyrtarëve medialë të klubeve. Kështu që sportistët po luajnë rolin e medias e po flasin për tema që nuk i kemi dëgjuar më parë”, ka thënë Boris Helleu, një ekspert i strategjive digjitale në sport.
Një nga ata që është hapur duke folur për një numër të temave është normalisht sulmuesi i Realit, Benzema, që poston video në kanalin e YouTube “Nueve Live”. Ai ka më tepër se 33 milionë përcjellës në Instagram.
Transmetimet e tij po përcillen nga më tepër se 130 mijë shikues drejtpërdrejt dhe disa qindra e mijëra më vonë.
Ai është i relaksuar dhe në humor, por sulmuesi ka qenë edhe kundërthënës, duke mbajtur anë politike e po ashtu duke qenë ende i zemëruar se është pezulluar nga përfaqësuesja e Francës.
I pyetur për Olivier Giroudin, që luajti qendërsulmues për Francën dy vjet më parë kur Franca fitoi Botërorin, Benzema u përgjigj: “Të gjithë e dinë dallimin mes Formula 1 dhe kartingut, e unë jam Formula 1”.
Benzema po ashtu po ndërton audiencën e tij duke biseduar me persona të famshëm që pëlqehet nga audienca e re frankofone, por kur është fjala te mysafirët e famshëm, askush nuk mund t’ia kalojë Ronaldos.
Ronaldo, që tash është president i klubit të La Ligas, Real Valladolid, ka intervistuar presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino dhe po ashtu ka folur me ish-lojtarët e Real Madridit, si David Beckham, Roberto Carlos, Iker Casillas e Luis Figo.
Duke biseduar në gjuhën angleze, spanjolle, portugeze e italiane, braziliani Ronaldo, fitues i dyfishtë i “Topit të Artë”, ka qenë shumë i hapur sikur po bisedonte në telefon me shokë të vjetër, ndonëse dhjetëra e mijëra po shikonin direkt.
Kur erdhi te radha e tij, Beckham tha se kishte parë bisedën e kaluar dhe se “Figo kishte folur tepër”. Ronaldo mbrojti portugezin Figo, ndërsa nisi të bënte një seri të shakave për bashkëshorten.
Ndërkohë, tenisti Novak Gjokoviq po ashtu ka përdorur rrjetet sociale, duke biseduar për tema të ndryshme të sportit.
Tenisti tjetër Rafael Nadal është përkujdesur për të qeshura, pasi kishte telashe me teknologji, në bisedë treshe në Instagram me tenistin zviceran Roger Federer dhe atë britanik Andy Murray.
“Siç mund të shihni, unë jam katastrofë”, tha Nadal në një moment.
Një yll që po synon audiencë më të re, Antoine Griezmann i Barcelonës, ka zgjedhur platformën e videolojërave Twitch, së bashku me vëllanë Theo, ku ka organizuar një lojë online.
Në mesin ku u përfshin edhe lojtarët e tjerë të përfaqësueses së Francës, si Paul Pogba e Ousmane Dembele, si dhe gamerët më të mirë në Francë. Në 24 orë, në të shtëna virtuale, me armë mblodhën 29.200 euro për “Kryqin e Kuq”.
Sportistët në rrjetet sociale po mbulojnë atë hapësirë të krijuar nga anulimet e sporteve dhe po lidhen me audiencën e re.
“Më herët, zëri i sportistëve ekzistonte vetëm nëpërmjet mediave tradicionale. Por, nuk është më kështu. Kur të rikthehen garat, do të jetë interesante të shihet nëse Benzema thotë: ‘Ne kemi kaluar mirë, do të vazhdoj me këtë’”, ka thënë Boris Helleu, eksperti i strategjive digjitale në sport. Përcjellësit e tij mezi po presin.