Ylli brazilian e akuzon kandidatin për president se ia mori ishullin pa kompensim

Prishtinë | 20 Tet 2026 | 08:59 | Nga Ekonomia Online

Sulmuesi brazilian i Tottenhamit, Richarlison, ka kërkuar nga policia që të hetojë një çështje pronësie që lidhet me një investim të tij prej rreth 10 milionë realësh brazilianë.

Futbollisti akuzon senatorin dhe kandidatin për president të Brazilit, Flávio Bolsonaro, djalin e ish-presidentit Jair Bolsonaro, se ka marrë në posedim ishullin e tij privat pa i paguar asnjë shumë parash.

Sipas Richarlisonit, prona ndodhet në Angra dos Reis, në bregdetin e Rio de Janeiros, dhe është blerë gjatë viteve 2020 dhe 2021.

Futbollisti pretendon se kishte investuar rreth 10 milionë realë, por nuk kishte marrë asnjë kompensim financiar.

“Unë nuk doja t’ia shisja ishullin atij dhe për këtë arsye ata shfrytëzuan situatën në gjykatë. Ne po përfundonim dokumentacionin e pronësisë dhe na thanë se kjo mund të zgjaste me muaj, madje edhe me vite”, deklaroi Richarlison në një video të publikuar në rrjetet sociale.

Ai pretendon se Flávio Bolsonaro dhe avokati Willer Tomaz morën në posedim pronën brenda 24 orëve, ndërsa ai ende po përpiqej të zgjidhte çështjen e dokumentacionit.

“Drejtësia dështoi. Me sa di unë, ata e morën ishullin pa shpenzuar asnjë qindarkë. Unë investova rreth 10 milionë realë dhe nuk mora asgjë”, u shpreh sulmuesi brazilian.

Richarlison kërkoi nga policia federale që të hetojë rastin dhe të zbardhë fatin e parave të investuara. Ai gjithashtu u bëri thirrje ndjekësve të tij që t’i kërkojnë shpjegime senatorit.

Reagimi i Bolsonaro

Nga ana tjetër, Flávio Bolsonaro i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar ato si “lajme të rreme”.

Megjithatë, sipas raportimeve të mediave braziliane, çështja ka një histori më të gjatë gjyqësore.

Prona aktualisht është në posedim të kompanisë WT Administração de Imóveis, e lidhur me avokatin Willer Tomaz, ndërsa Bolsonaro nuk është palë në procesin gjyqësor mes palëve të përfshira.

Në vitin 2022, senatori kishte deklaruar se ishte përmendur si dëshmitar dhe se nuk kishte lidhje me çështjen.

Richarlison kërkon përgjigje për investimin e tij dhe ka deklaruar se, nëse arrin t’i rikuperojë paratë, një pjesë do t’ia dhurojë spitalit në qytetin e tij të lindjes, Nova Venécia.

Ndërkohë, sulmuesi po kalon një periudhë të vështirë edhe në aspektin sportiv, pasi ka mbetur jashtë planeve të ekipit të parë të Tottenhamit dhe ka luajtur me skuadrën U21.

Të ngjashme