Sulmuesi i Atalantas, Alejandro Gomez, u ka bërë thirrje njerëzve të qëndrojnë nëpër shtëpitë e veta dhe mos të dalë në rrugë, pas skenave të shëmtuara që u panë ditët e fundit në Bergamo të shkaktuara nga pandemia koronavirus.
Fotografi tronditëse të kamionëve ushtarakë duke i bartur kufomat nga Bergamo në qytete tjera, për shkak të mbingarkesës në krematorët e këtij rajoni, janë pamje frikësuese për qytetarët, përfshirë për kapitenin e klubit të Serie A, transmeton Gazeta Express.
Sulmuesi argjentinas shpreson se mesazhi i tij do t’i bëjë njerëzit të mos dalin nga shtëpitë e veta, si masë parandaluese e shpërndarjes së virusit.
“U them të gjithë vrapuesve, apo vrapuesve të rremë, të cilët ende duan të dalin jashtë dhe të stërvitin, qëndroni në shtëpi”, shkroi Gomez në Instagram.
“Mjaft më, mjaft më, mjaft më”, shtoi ai.
“Çdo mëngjes zgjohemi me lajme të këqija, njerëzit duke vdekur, dhe ju ende nuk e kuptoni? Të gjithë në shtëpi, askush të mos dalë jashtë”, përfundoi ai.