Kreu i lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, është distancuar nga kërcënimi që një ditë më parë u bëri atyre që i kategorizoi si “media të pushtetit të Klanit Pronto”, anëtari i kësaj partie e funksionari i lartë komunal Hysen Durmishi.
Përmes një postimi në rrjetin siocial Facebook, Ymeri ka thënë se nuk pajtohet me qëndrimin e tij, por e ka kategorizuar këtë deklaratë të bashkëpartiakut të tij si të bërë nën pikëllim e revoltë.
“Kur e humbet një bashkëveprimtar, një shok shumë të mirë siç ishte Astriti, pikëllimi dhe revolta bëhen të pashmangshme. Ka momente kur secili nga ne, shokët dhe shoqet e Astritit, nën këtë pikëllim e revoltë mund të bëjmë deklarata që nuk përputhen me atë për të cilën në të vërtetë qëndron dhe përpiqet Lëvizja Vetëvendosje”, ka thënë Ymeri.
“Në këtë drejtim e kategorizoj edhe statusin e djeshëm të Hysen Durmishit. Me këtë as nuk dua ta arsyetoj e as ta mbroj Hysenin. Nuk pajtohem me qëndrimin e tij. Tërheqja zvarrë e asnjë mediumi nuk është mjet për të cilin angazhohet Vetëvendosje! Lufta jonë politike është kundër regjimit kriminal që i ka kriminalizuar institucionet shtetërore përmes kapjes”, ka shtuar më pas.
Ymeri ka thënë se njëkohësisht është absolutisht kundër mënyrës se si media të caktuara e keqkuptojnë dhe keqpërdorin lirinë e shprehjes.
“Mediet që shpifin dhe rëndojnë poshtërsisht familjen Dehari dhe shokët e shoqet e Astritit, duhet të kenë parasysh ligjet dhe kodet etike të gazetarisë. Kjo do të ishte në të mirën e vetë gazetarisë dhe lirisë së medies”, ka thënë Ymeri. “Liria e medieve është një nga shtyllat e programit tonë dhe tentimet për kufizim të kësaj lirie nga pushteti, janë vazhdimisht në qendër të kritikave tona. Në Kosovën që do të qeveriset nga Vetëvendosje do të ketë liri të plotë mediale, ngase nuk mund të ketë demokraci të vërtetë pa qenë e garantuar e drejta e qytetarëve që të informohen drejt”, ka thënë Ymeri.
Ndërkohë, mbrëmë anëtari i Vetëvendosjes, Hysen Durmishi, drejtor i Infrastrukturës në Komunën e Prishtinës, ka kërcënuar rëndë disa medie.
“Ju media të pushtetit a po mendoni ndonjëherë që i vie fundi edhe këtij pushteti kriminal. I vie fundi edhe këtij pushteti të Klanit Pronto. Do të ju vie fundi edhe juve bashkë me ta. Mos mendoni se harrojmë. Më e pakta që duhet ta mendoni është që zvarrë do të nxjerrim e do të ju dërgojmë në burg o kriminel. Mos na lëndoni më shumë o të pështirë. Nuk ju falim kurrë kriminelë!”, ka shkruar Durmishi në profilin e tij në Facebook.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar ndaj këtij kërcënimi, duke thënë se e ka pritur me shqetësim të thellë kërcënimin e anëtarit të Vetëvendosjes, Hysen Durmishi, se kur partia e tij të vije në pushtet do t’i ngrehë zvarrë mediet.
Kjo deklaratë, për AGK-në, është e papranueshme dhe përbënë kërcënim serioz për komunitetin e gazetarëve.
“Një deklaratë e tillë nuk do të duhej të vinte në asnjë rast nga një anëtar i një subjekti politik opozitar, si dhe nga një njeri që mban post të lartë publik…”, thuhet në reagimin e AGK-së.
“Konsiderojmë se përderisa mediet janë ne shërbim të publikut, përkundër dhimbjes dhe dilemave morale që shpërfaq publikimi i materialeve te tilla sensitive, transmetimi ka qenë në interes të publikut. Si rrjedhojë mediet kanë kryer punën e tyre duke i shërbyer këtij interesi. Në këtë kohë të rëndë për familjen, kërkojmë nga të gjithë përfaqësuesit politikë që të kenë kujdes në përdorimin e gjuhës pasi në asnjë formë përmes deklaratave të tilla nuk do të mund ta përmirësojnë situatën”, thuhet në reagimin e AGK-së.
LEXO EDHE:
http://cs13.temp.domains/~ekonomia/politike/durmishi-kercenon-mediet-e-pushtetit-tju-terheqim-zvarre/