Ish-deputeti Visar Ymeri thotë se LDK në raport me zgjedhjen e presidentit është treguar e pavendosur e që, sipas tij, kjo po i kushton.
“Shenjat e para që ka dhënë LDK, që mbase ndryshon qëndrim, e ka bërë atë si parti që mund të ushtrohet trysni. Pra e kemi parë edhe javën e kaluar që presioni publik ndaj LDK-së ka qenë më i madh në raport me të tjerët”, deklaroi ai në “Debat Plus”.
Ymeri thotë se LDK nuk ka pasur asnjë borxh ndaj Vjosa Osmanit.
“Të dy palët kanë përfituar nga njëri-tjetri [LDK-Osmani] në të kaluarën”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Ish-deputeti thotë se LDK po futet në diskursin e Lëvizjes Vetëvendosje.
“LDK pavetëdijshëm po futet në diskursin e LVV-së. Këta po thonë ose Vjosa Osmani ose zgjedhje. Ndërsa LDK po pozicionohet për zonjën Osmani. Nuk është se AAK ose PDK po i presin krahë hapur zgjedhjet, mirëpo LDK ka treguar se po frikësohet më së shumti”.
Analisti thotë se Veliu apo Selmanaj duhet të sakrifikohen kësaj radhe për të mirën e partisë dhe t’i mbështeten shumicës për të qëndruar në sallë për Vjosa Osmanin.
“Nëse partia ka vendosur se votimi i Osmanit është për të mirën e saj, Veliu apo Selmanaj duhet të sakrifikohen për të mirën e LDK-së”, tha ndër të tjera Visar Ymeri.