Nënkryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Visar Ymeri,ka thënë se kontrata e nënshkruar nga Ministria e Integrimit Evropian me një kompani amerikane për lobim, nuk do të duhej të zbatohej pasi i tejkalon kompetencat e kësaj ministrie dhe hyn në kompetencat e Ministrisë së Punëve të Jashtme, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, kjo kontratë po bëhet që t’i siguroj kontakte kryetarit të PDK-së Kadri Veseli me kongresistë amerikan dhe nuk po bëhet për lobim për Republikën e Kosovës.
Ymeri tha se kjo kompani nuk e ka as përvojën që të shërbej që të lobohet për agjendën e kësaj ministrie pasi pronari i kësaj kompanie merret me menaxhim të restoranteve në Amerikë.
“Kontrata i ka 150 mijë euro vlerë, ministria blen shërbime të lobimit për sa i përket aktivitetit të vet, që ndërlidhen me integrimet evropiane që bie ndesh, shërbimet janë edhe që të sigurohet promovohet Kosova në ngjarjet kryesore të Bashkimit Evropian. Si lobim shihet që ka një tejkalim të kompetencave të integrimeve evropiane, i ka tejkaluar kompetencat dhe ka kaluar në kompetenca të Ministrisë së Jashtme. Është shqetësuese sepse Ministria e Integrimeve di të duhet të përqendrohet në integrimet evropiane dhe jo të merret me lobim dhe jo me organizata ndërkombëtare, kemi në lloj kaosi në këtë qeveri se si funksionojnë ministritë”, tha Ymeri.
Ai tha se kjo kompani ka pasur vetëm një projekt dhe atë me shtetin e Katarit.
“Kjo është kompani me një pronar të zinxhirëve të restoranteve i vetmi projekt ka qenë për shtetin e Katarit, duhet që Kosova të ketë kujdes në përzgjedhjen e kompanisë. Në mënyrën se si kjo kompani e ka raportuar kontratën në departamentin e shteti janë dy çështje problematike, kur është vendosur emri është vendosur emri i Kadri Veselit në këtë kontratë është emri i kryetarit të PDK-së. Kjo kontratë më shumë do i shërbej Partisë Demokratike sesa Ministrisë së Integrimeve Evropiane”, ka thënë Ymeri, raporton EO.
“Në mënyrën se si e shpjegon kjo kompani, obligim i kompanisë është që të siguroj kontakte me kongresist amerikan, jashtë domenit të kësaj ministrie, shtohet dyshimi që më shumë do ti hapen dyert Kadri Veselit se sa Kosovës.E treta, thuhet që përveç mungesës së përvojës shihet që kjo kompani s’ka asnjë angazhim sa i përket lobimit, është në SHBA dhe s’ka angazhim në Bashkim Evropian, kjo do të jetë e cunguar”.
Kjo kontratë sipas Ymerit nuk do të duhej të nënshkruhej dhe të shihet mundësia që të mos zbatohej.
“Kjo kontratë është keqpërdorim të fondeve publike për interesa personale”, tha Ymeri.