Ymeri: Në këtë situatë jemi më afër zgjedhjeve se çdo zgjidhjeje tjetër

Prishtinë | 12 Sht 2025 | 10:19 | Nga Gzim Mujaj

Drejtori ekzekutiv i Institutit “Musine Kokalari”, Visar Ymeri, tha se Lëvizja Vetëvendosje nuk ka numrat për të formuar qeverinë dhe se bllokada politike që është krijuar është shkaktuar pikërisht nga kjo parti.

Ai tha në intervistë për Ekonomia Online se në sistemin parlamentar të Kosovës marrëveshja politike është e domosdoshme, ndërsa, sipas tij, Vetëvendosje nuk po synon as marrëveshje dhe as zgjedhje.

“Është e qartë që LVV-ja as nuk i ka numrat e as nuk po tenton që t’i bëjë numrat. Çdo vend në botë që ka sistem të demokracisë parlamentare të tillë çfarë e kemi ne, që është proporcional e jo mazhoritar, siç e kanë disa vende, marrëveshja politike mes partive është e domosdoshme.

Dhe kjo fare nuk vihet në diskutim. Për shembull ne e pamë Gjermaninë. Shumë më vonë se ne i kanë mbajtur zgjedhjet, shumë më herët se ne e themeluan qeverinë, sepse është bërë marrëveshja e koalicionit, është ditur që nuk i ke vetë numrat dhe meqë nuk i ke vetë numrat bën marrëveshje me një parti tjetër. Ose vendos që nuk dëshiron që të bësh qeverinë, tregon edhe shkojmë në zgjedhje”, tha Ymeri.

Ai shtoi se VV po e mban bllokadën për të fshehur faktin që nuk ka mbështetje të mjaftueshme.

“LVV as nuk po do marrëveshje, as nuk po tenton që të bëjë marrëveshje e as nuk po dëshiron që të shkojë në zgjedhje. Krejt këtë bllokadë e ka shkaktuar VV-ja për të fshehur një të vërtetë që po e dimë të gjithë e ajo është që nuk i ka numrat për qeveri. E keni parë sa deklarimet i kanë pasur, i kemi numrat për qeveri, por jo për Kuvend. Por ja për kryetar të Kuvendit u bënë numrat, ku i keni tash numrat për qeveri, me kënd duan ta bëjnë qeverinë. Nuk mund ta bësh qeverinë as në Kosovë, as askund tjetër duke u përvjedhur. 48-shin nuk mund ta shndërrosh në 61, përveç nëse bën marrëveshje me dikë që i ka deputetët e tjerë dhe kjo ka qenë e udhës prej fillimit për VV-në, të cilën ata e kanë minuar me sjelljen e vet politike, tensionimin që e kanë shkaktuar, këtë ndarje të shoqërisë që e kanë shkaktuar, deklarimet e tyre e kështu me radhë”, tha ai.

Në lidhje me perspektivën e procesit politik, Ymeri tha se vendi është më afër zgjedhjeve se çdo zgjidhjeje tjetër.

“Në këtë drejtim është e vështirë të thuhet se si do të përfundojë ky proces, mirëpo qartazi unë si e shoh më afër jemi zgjedhjeve se sa çfarëdo zgjidhje tjetër. Meqë VV-ja nuk po do partneritet dhe kur nuk do partneritet nuk mundesh edhe të mbërritësh një situatë të tillë. Ne e pamë që e patën Këshillin e Përgjithshëm dhe u morën me këtë maskaradën e mandatimit të Kurtit për kryeministër, gjitha kjo për ta krijuar përshtypjen në publik sikur ne po bëhemi gati për qeveri. Kur të gjithë prej tyre e veçanërisht Kurti e dinë që numrat për qeveri nuk i ka. Mënyra se si e ka trajtuar procesin është jashtëzakonisht problematike, sepse nuk mund të kesh vota ti në Kuvend përveç nëse i ke 61 deputetë të partisë tënde ose nëse ke marrëveshje politike me njërën nga partitë politike atëherë i ke”, tha ish-kryetari i VV-së.

Duke e parë situatën si një leksion politik, Ymeri tha se partitë duhet të kuptojnë se kompromisi është i domosdoshëm.

“Ky proces mendoj unë që do të jetë mësim për të gjitha partitë politike, që as nuk munden me shty me zor, as nuk munden me shkel Kushtetutën, por duhet të bëjnë një gjë, që është normale në krejt botën demokratike e ajo është marrëveshja, kompromisi drejt arritjes së qëllimeve politike”, tha për Ekonomia Online, Ymeri.

Të ngjashme