Partitë politike nuk po e përmendin çështjen e dialogut me Serbinë në fushata zgjedhore pasi po frikësohen se mund të dënohen elektoralisht, thotë ish-kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, raporton Ekonomia Online.
Njohësi i çështjeve politike, Ymeri në një intervistë për Ekonomia Online thotë se ky veprim i partive politike shfaq pa sinqeritetin e tyre karshi votuesve.
“Mendoj që sfida e parë në krijimin e institucioneve gjithmonë pavarësisht në numrat dhe mandatet që i fiton secila parti. Zgjedhja e presidentit sfida e parë, duke e parë se jemi me një situatë ku e kemi ushtruese të detyrës ku afati maksimal skadon në fillim të majit, atëherë gjëja e parë që duhet të vendoset në Kuvendin e Kosovës do të duhet të ishte zgjedhja e presidentit, dhe në këtë drejtim mendoj se kjo do të jetë momenti ose sfida e parë që nuk e shoh të patejkalueshme pra duhet parë mundësia ma e madhe që siç po duket tash ta kemi një koalicion në mes të VV-së dhe AAK-së, gjithnjë nëse i kanë numrin e mjaftueshëm të deputetëve. Gjithnjë kjo po them, por prapë mund të ndryshojë nga rezultati zgjedhor. Qeveria e ardhshme ka mundësi të ballafaqohet menjëherë me elefantin në dhomë për të cilën nuk donë të flas askush”.
“Ne e kemi parë në fushatë premtojnë prej rritjes së pensioneve deri te rritja e pagave, por një gjë duhet ta kuptojmë që të gjithë e dimë përveç partive politike është që megjithatë puna e parë me të cilën do të merren është dialogu me Serbinë dhe në këtë drejtim konsideroj që kjo është pa sinqeriteti i madh i partive politike sepse secili prej këtyre liderëve që po e kërkon votën e qytetarëve e dinë që kjo do të jetë çështja kryesore. Në këtë drejtim konsiderojë që partitë politike duhet ta mendojnë mirë dhe qartë dhe t’u tregojnë qytetarëve se çka e kanë ndërmend të bëjnë me dialogun me Serbinë. Pra siç e dimë tri qeveritë e fundit në përjashtim me Qeverinë Hotin janë rrëzuar si pasojë e dialogut. Të gjitha tjera arsyetime për rrëzimet e qeverive janë dytësore. Ky është momenti që e tregon më së shumti sinqeritetin tek partitë politike për dialog. Dhe ka arsye pse nuk e përmendin dialogun me Serbinë, së pari munden me u dëmtua elektoralisht, e dyta duke mos folur për dialogun nuk po e lidhin veten me asnjë zotim për dialogut, se ia jep duart e lira që kush do qoftë kryeministër të bëjë çka do me dialogun me Serbisë”, tha ai.
Sipas ish-deputeti të Kuvendit, partitë politike në programet e tyre qeverisëse kanë disa pjesë përmbajtjesore, mirëpo problemi qëndron tek kredibiliteti i subjekteve politike për realizimin e tyre.
Po ashtu, një problem tjetër tek plan programet e partive politike, sipas Imerit është mos kalkulimi i buxhetit për zbatimin e premtimeve të dhëna.
” Problemi është edhe këtë radhë si në proceset e kaluara zgjedhore është i dy lloj për mendimin tim në njërën anë ki parti të cilat mund t’i kenë ide të mira po nuk kanë kredibilitet për shkak të qeverisjes, në anën tjetër ki parti që tingëllojnë të mira por nuk ka një substancë që e shpjegon zbatimin e një mase ose një ide të caktuar edhe në përgjithësi çka kemi mundur me vërejt është që partitë politike jo vetëm në këto zgjedhje japin më shumë premtime sesa që tregojnë sesi një program koherent do ta ndihmonte dhe përmirësonte jetën e qytetarëve, dhe nëse ndalesh i analizon pikat e premtuara, e sheh që së pari nuk ka kurrfarë kalkulimi të buxhetit për zbatimin e këtyre masave, e dyta nuk ka kurrfarë afati kohor për zbatimin e atyre masave dhe e treta shpesh herë ke edhe masa që janë kundërthënëse njëra me tjetrën”, u shpreh ai për Ekonomia Online.
Tutje, Ymeri thotë se plan programet e partive politike janë kopje e fushatave të kaluara elektorale, por që sipas tij ky nuk është veprim i keq, pasi problemet që ballafaqohen qytetarët nuk kanë ndryshuar aq shumë krahasuar me zgjedhjet e 2019-ës.
“Besoj që është më shumë copy-paste, dhe kjo nuk më çuditë dhe nuk mendoj që është domosdoshmërish gjë e keqe, nëse kemi pasë zgjedhje në vjeshtë të vitit 2019 dhe tash kemi në fillim të vitit 2021, pra e kemi një periudhë një vjeçare që ka kalua dhe natyrisht nuk pritet prej partive politike me zbulua diçka ose me premtua diçka plotësisht të re dhe situata në terren nuk është që ka ndryshua shumë. E vetmja gjë që e bën situatën sot shumë ma të ndryshme sesa dje ose janë dy gjëra e para është pandemia dhe kriza shëndetësore, po veçanërisht ajo ekonomike që ka ndodh gjatë këtij viti që s’e kemi pasë prezent në vitin 2019, dhe e dyta është që ndërlidhet me dialogun Kosovë-Serbi, e cila që i ka disa zotime të Kosovës për të cilat asnjë parti nuk po duan të flasin në përjashtim të LDK-së, po të cilat natyrisht obligohemi m’i zbatua. Vetëm këto dy momente do të thosha e vendosin Kosovën në një pozicion të ndryshëm krahasuar me vitin 2019”.
“Këtu çështja për mua ma problematike do të thosha në programet e partive është prapë mungesa e shpjegimit të së pari të mundësisë së zbatimit të disa masave edhe e dyta efekti që këto masa do ta kenë, për shembull nëse e marrim krizën ekonomike/sociale të pandemisë, pra ne vjet kemi pas një tkurrje ekonomike prej afër 8%, rreziku është që edhe këtë vit do të kemi tkurrje ekonomike 4-6%, dhe në këtë drejtim partitë që po bëhen gati me qeverisë duhet me pasë parasysh dhe me planifikua mirë sesi ndërhyrja e tyre në ekonominë sot do ta sanojë këtë rrezik për tkurrje ekonomike. Në këtë drejtim e kom pa që në këtë fazë apo në këto zgjedhje, partitë më shumë po flasin për një vizion afatgjatë gjë që është e domosdoshme, mirëpo nuk mundesh me pasë vizion afatgjatë duke mos adresua problemin që e ki afatshkurtër dhe urgjent”, thotë ai.
Megjithatë, Ymeri thotë se fushata elektorale këtë vit është dashur të organizohet më ndryshe, duke e pasur prioritet ruajtjen e shëndetit publik.
Sipas tij, kjo mënyrë e organizimit të fushatës zgjedhore po shfaq hipokrizinë e partive politike karshi qytetarëve.
“Me sa kom parë unë gjoba vetëm Komuna e Prishtinës që ka shqiptua gjoba. Ka tregu që për institucionin publik nuk do të ketë dallim në mes të qytetarëve që dikush i konsideron të thjesht dhe të atyre që janë pjesë e partive politike. Natyrisht që mesazhi është jashtëzakonisht i keq që e dërgojnë partitë politike jo vetëm në raport me masat që i kanë miratua vetë edhe të cilat nuk po i zbatojnë por në raport me rëndësinë dhe prioritetet që ata ia caktojnë shëndetit publik karshi interesit të tyre partiak, do me thënë ky është mesazhi më i gabuar, pasi për shëndetin publik të gjithë na kanë fol prej se ka filluar pandemia dhe duke qenë që në Qeveri dhe kanë marr masa po edhe duke qenë në opozitë kanë votuar ligje për masat, dhe menjëherë i harruam të gjitha ato, kjo tregon sesa të shkujdesur janë karshi shëndetit publik kur ky vihet në marrëdhënie antagoniste me interesin e tyre partiak dhe ky është problemi më i madh. Natyrisht që është edhe problem gjobat që janë shqiptua qytetarëve, ndërsa ata nëpër tubime nuk janë dënua”, thotë ai.
“Problemi më i madh është te hipokrizia edhe te momenti i shpërfilljes së interesit publik që po e tregojnë partitë politike për shkak të fushatës elektorale. Unë mendoj që fushata elektorale këtë herë domosdoshmërish të bëhet ndryshe për shkak të pandemisë, dhe këto tubime masive kanë qenë të shmangshme, kurrgjë nuk më tregon mua si qytetarë një fotografi me 200 njerëz, në këtë drejtim partitë politike e kanë pasur një moment apo mundësi për me krijua një fushatë pak më kreative e cila edhe do të tregonte aktivitetin e tyre por nuk do të rrezikonte shëndetin e qytetarëve. Mirëpo, ja partitë zgjodhën t’i përdorin aktivitetet elektorale për ta krijuar një iluzion të madhështisë apo numrit të njerëzve që i përkrahin dhe kështu rrezikuan. Nëse e krahasojmë me disa muaj më parë, numri i rasteve ka filluar të rritet, dhe ende jemi në fillet e fushatës dhe sigurisht që kjo do të bëhet më keq”, përfundoi ai.