Ish-kryetari i Vetëvendosje, Visar Ymeri, vizitën e këshilltarit të Departamentit të Shtetit Amerikan, Derek Chollet, po vlerëson si shumë të rëndësishëm për Kosovën, e në veçanti për dialogun me Serbinë.
Ymeri në një intervistë për Ekonomia Online shtoi se fuqia që ka Amerika si garantues i procesit është dëshmi se epilogu do të jetë marrëveshja finale në interes të Kosovës.
“Së pari është një lajm shumë i mirë që Shtete e Bashkuara të Amerikës kanë një angazhim shumë më intensiv sepse kjo është një siguri e madhe për Kosovën në dy rrafshe. E para është se përgjatë kësaj historisë së vonë të Kosovës ka qenë ShBA ato që më së shumti e më së miri e kanë ndihmuar Republikën e Kosovës, veçanërisht në etapat më të vështira të saj. E dyta është që ShBA-të me fuqinë që e kanë janë garanti i vetëm që dialogu mund të përfundoj dhe marrëveshja mund të arrihet, gjë që është në interes të Kosovës”, tha ai.
Sa i përket deklarimeve të Chollet, se “Asociacioni është një çështje urgjente në agjendën e dialogut dhe se ShBA nuk mbështet diçka që i ngjan Republika Srpskës në Bosnjë”, Ymeri tha se ky deklarim është një siguri për Kosovën pasi që ky lloj Asociacioni nuk do ta pengonte funksionalizimin e vendit.
Ai bëri thirrje që Qeveria e vendit duhet të ketë më shumë besim në këtë proces dhe të fillojë punën me një siguri më të madhe.
“Disa herë e kanë thënë përfaqësuesi e ShBA-së, veçanërisht kohëve të fundit që ShBA-ja mbështet themelimin e Asociacionit i cili i merr parasysh vërejtjet që janë dhënë nga Gjykata Kushtetuese. Në këtë drejtim mendoj që kjo është një siguri për Republikën e Kosovës, që ky Asociacion të mos jetë diçka që do ta pengonte funksionalizimin e Republikës dhe do ta dëmtonte në një farë mënyre sovranizimin e saj. Në këtë drejtim mendoj që Qeveria e Kosovës duhet të ketë më shumë besim në këtë proces dhe të hyj në të me një siguri pak më të madhe, e të jetë më aktive veçanërisht në këtë temë e cila natyrisht që është temë e ndjeshme dhe që është diskutuar për një kohë të gjatë në Kosovë”, tha ai.
Ymeri shtoi se Asociacioni është bërë urgjent për shkak të situatave të fundit të krijuar në veri të vendit, duke përmendur vitin 2013 kur edhe ishte nënshkruar marrëveshja, raporton EO.
Sipas tij, Asociacioni po shihet si monedhë, kusoritje në raport me njohjen që duhet të vijë nga Serbia.
“Problemi më i madh që unë e shohë këtu aktualisht është që për sa kohë që para asaj që ndodhi në veri, Asociacioni shihej si një lloj monedhë, kusoritje në raport me njohjen që duhet të vijë nga Serbia, tash Asociacioni na është bërë urgjent për shkak të krijimit të vakumit institucional në pjesën veriore të Kosovës, gjë që na kthen prapa, pra kështu ka qenë situata në vitin 2013 kur atëherë Asociacioni i Komunave me shumicë Serbe ishte nënshkruar si marrëveshje edhe për shkak të nevojës për t’i integruar serbët e pjesës veriore në jetën institucionale dhe politike të Kosovës. Edhe tash e njëjta gjë është duke na u përsëritur edhe për shkak të gabimeve tona”, tha ai.