Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev pas takimit të “Mini-Shengenit” në Tiranë tha se kjo nismë që kanë ndërmarrë bashkë me kryeministrin shqiptar Edi Rama, presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe atë të Malit të Zi Milo Gjukanoviq, është e mirë për të gjithë rajonin dhe shpejt do të jetë e prekshme për qytetarët.
Zaev tha se ndjehet i pikëlluar për tragjedinë që la pas tërmeti i 26 nëntorit në Shqipëri dhe për këtë i ka bërë thirrje të gjithë vende të rajonit që të vazhdojnë me ndihmat drejtuar zonave të prekura.
“Më la përshtypje tragjedia që la pas në Durrës dhe besoj që ndihma do të zbusë pasojat. Ju bëj thirrje që të vazhdojnë të japin ndihmën e shumë nevojshme si një segment i rëndësishëm i bashkëpunimit tonë rajonal”.
“Në takimin e ardhshëm në Beograd institucionet tona të kërkim-shpëtimit duhet të nënshkruajnë protokollin e bashkëpunimit që të tregojnë se jemi bashkë. Bashkëpunimi jonë po jep rezultate”.
Zaev tha se shpreson që në këtë nismë të bashkohet edhe Kosova dhe Bosnja e Hercegovina.
“Takimi i radhës sikurse tha edhe presidenti malazez Gjukanoviq do të jetë në Mal të Zi, gjë që jam dakord. Por ne do të jemi të gëzuar që në të ardhmen ta vazhdojmë pastaj në Sarajevë dhe në Prishtinë. E pas zgjedhjeve të majit do të jeni të mirëpritur edhe në Maqedoninë e Veriut”.
Zaev tha se dëshiron që të huajt që vijnë nga vende të tjera joballkanike të mund të hyjnë në njërin nga aeroportet dhe të mos kenë nevojë që të bëjnë kontrolle në secilin shtet të Ballkanit.