Kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev, në adresimin e fundit për qytetarë para referendumit, ka porositur se ata e kanë në dorë çelësin që Maqedoninë ta bëjnë anëtare të familjes evropiane dhe iu ka bërë thirrje të dalin të dielën dhe të votojnë.
“Të dielën vota juaj do ta caktojë drejtimin kah do të shkojë Maqedonia. Vendosin ata të cilët votojnë. Nëse është shumica e madhe për, përgjithmonë do ta trasojmë rrugën tonë kah NATO dhe BE. Tani është koha për vendime. Ejani të jemi të bashkuar, siç kemi bërë para 27 vjetëve (në referendumin për shkëputje nga ish Jugosllavia e Millosheviqit)”, ka thënë Zaev në video mesazhin për opinionin maqedonas.
Ai ka porositur se Maqedonia në referendum nuk do të zgjedh në mes të dy partive politike, por çfarë ardhmërie dëshiron Maqedonia.
“Me marrëveshje me Greqinë për zgjidhjen e kontestit rreth emrit, Maqedonia krenare ka fituar njohje të plotë të popullit maqedonas, gjuhës maqedonase, trashëgimisë”.
“Prandaj unë do të votoj. Për të mirën e fëmijëve tanë. Për vendin e qetë dhe të sigurt në të cilin maqedonasit, shqiptarët, turqit, serbët, romët boshnjakët dhe vllahët dhe të gjitha komunitetet tona etnike do ta gëzojnë një jetë të mirë dhe me prosperitet”.