Zaev u përgjigjet zyrtarëve bullgarë: Jam maqedon, flas maqedonisht

Prishtinë | 11 Dhj 2018 | 11:01 | Nga Ekonomia Online

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev i është përgjigjur deklaratave të fundit të zyrtarëve të lartë të Bullgarisë lidhur me pohimet e tij për gjuhën dhe kombin maqedon duke theksuar se askush në botë nuk mund t’i kontestojë dikujt të drejtën e përcaktimit etnik, që sipas Zaevit, është vlerë evropiane e cila duhet të pranohet nga të gjithë.

“Unë jam maqedon, flas gjuhën maqedone, kjo është e drejtë e imja. Kjo është vlerë evropiane. Unë pres që vlerat evropiane të pranohen nga të gjithë. Ashtu siç kam shtrirë dorën dhe kam pranuar të ndajmë historinë e përbashkët, do të vazhdojë të flas në frymën e miqësisë dhe do të vazhdojë të ndërtojë fqinjësi të mirë, pa marrë parasysh se në çka i bazojnë deklaratat e tyre. Unë besoj se zoti Karakaçanov, ministrja e jashtme Zaharieva dhe kryeministri Borisov, por para së gjithash populli bullgar është popull mik i popullit tonë”, ka deklaruar kryeministri Zaev duke shtuar se të drejtën e përcaktimit e garanton marrëveshja me Greqinë për zgjidhjen e kontestit të emrit me të cilën Maqedonia do të ketë emër të ri, Maqedonia e Veriut.

Reagimet e zyrtarëve bullgarë kishin pasuar një deklaratë të kryeministrit Zaev se “Marrëveshja e Prespës vërteton ekzistimin e gjuhës maqedonase dhe se askush më nuk do të ketë të drejtë që këtë ta kontestojë”.

“Zoti Zaev, mos e keqpërdorni temën me gjuhën maqedonase. Kjo mund t’ju kushtojë me anëtarësimin në NATO dhe BE…Maqedonia e Veriut është emërtim gjeografik që përfshin edhe territore të Republikës së Bullgarisë. Zaevi nesër mund të dëshirojë një dialekt të ngjashëm bullgar të mësohet si gjuhë zyrtare e huaj te ne. Kjo është e papranueshme. Ky është provokim”, kishte deklaruar Krasimir Karakaçanov, Zëvendëskryeministër për siguri dhe Ministër i Mbrojtjes.

Maqedonia dhe Bullgaria marrëveshjen e fqinjësisë së mirë e kanë arritur më 1 gusht dhe me të dy vendet pretendojnë të zgjidhin mosmarrëveshjet historike që kryesisht kanë të bëjnë me gjuhën, kulturën dhe historinë maqedonase të paraluftës së dytë botërore. Marrëveshja ishte nënshkruar edhe në gjuhën maqedonase të cilën tani zyrtarët bullgarë e mohojnë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme