Kryeministri dhe lideri i LSDM-së Zoran Zaev dhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti sot në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut ku është caktuar seancë për pyetjet e deputetëve do të bisedojnë për konfirmimin e kandidatit të përbashkët për zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Zaev dje para mbledhjes koordinuese të partisë deklaroi se nuk janë shumë larg zgjedhjes së kandidatit të përbashkët me partitë politike me të cilat po bisedojnë për këtë, duke përfshirë edhe partnerin e koalicionit në Qeveri, BDI-në.
“Gjatë procedurës për përzgjedhjen e kandidatit të përbashkët sot do të kemi edhe shumë kontakte përmes telefonit dhe mënyrave të tjera të bisedave me sekretarët tanë të cilët janë në komunikim me organet e partive politik me të cilët bisedojmë që të shohim se a ka eventualisht hap përpara ose mundësi që të arrihet deri te kandidati i përbashkët. Informacionet i kam pozitive, nuk jemi shumë larg. Besoj se emrat do të jenë shkaku final për gjetjen e kandidatit të përbashkët”, tha Zaev.
Ai konfirmoi se sot do të takohet me liderin e BDI-së Ahmeti dhe se për herë të parë do të ketë informacione për qëndrimet për partnerin më të madh në koalicion.
“Besoj se ata tashmë kanë biseduar dhe kanë pikëpamjet e tyre. Sigurisht nëse kanë biseduar në funksion të kandidatit të përbashkët, kanë emra, kanë analizat e tyre. Ne i ndamë analizat tona, ndërsa ata i kanë analizat e tyre. Nesër derisa zgjasin pyetjet e deputetëve, do të kemi informacione më të hollësishme për atë se a është e mundur që LSDM-ja dhe BDI-ja, e gjithashtu edhe subjekte të tjera politike me të cilët kemi biseduar, të arrijmë deri te një emër i përbashkët për president të RMV-së”, sqaroi Zaev.
Në lidhje me ndodhitë në Kuvend nga koordinimi do të dalë se a do të bisedojnë për këtë në takimin me Ahmetin duke lënë të gjitha opsionet e hapura në lidhje me koalicionimin e mëtutjeshëm.
“Koalicioni nuk është krijuar për një ditë. Ai ka angazhimet e tij strategjike dhe programin e përbashkët të Qeverisë. Do të dëshirojmë t’i dëgjojmë edhe argumentet e partnerëve tanë që të mundemi në fund të sjellim përfundime për çështjet e tilla. T’iu japim mundësi argumenteve, të bisedojmë të gjithë se bashku ashtu si u ka hije partive politike”, tha lideri i LSDM-së.
Në lidhje me atë se si e komenton deklaratën e nënkryetarit të partisë Muhamed Zekiri se kanë 61 deputetë pa BDI-në, Zaev nuk u pajtua me këtë, duke sqaruar se së bashku me koalicionin kanë 68 deputetë, ndërsa pa BDI-në 58. La hapësirë që të dëgjohen argumentet e të gjithë deputetëve, duke përfshirë edhe Zekirin, por edhe të BDI-së, që të munden në fund të sjellin përfundim.
Ahmeti, dje pas takimit në selinë e partisë në Shkup me shefin e diplomacisë shqiptare Gent Cakaj, shprehu bindje se me partnerin e koalicionit do të gjejnë zgjidhje për kandidat konsensual për president.
Ai tha edhe se nuk ka probleme në funksiononim e koalicionit qeveritar, duke komentuar edhe deklaratën e nënkryetarit të LSDM-së Muhamed Zekiri se është e mundur qeveria pa BDI-në.
“Ju siguroj se nuk ka përçarje mes partnerëve të koalicionit. E mundur është të ekzistojnë dallime për çështje të caktuara që nuk e cenojnë integritetin ose moralin e BDI-së ose LSDM-së. Vendi ka nevojë për më shumë paqe, komunikim dhe bashkëveprim mes forcave politike në pushtet dhe opozitës. As opozita nuk mund të përjashtohet nga këto procese të rëndësishme. Nëse mund të ketë qeveri pa BDI-në do thoja se bëhet gabim i madh, por ajo mund të jetë deklaratë e një anëtari ose funksionari të LSDM-së i cili nuk ka përgjegjësi për misionin e madh historik që e ka Republika e Maqedonisë së Veriut. Unë në këtë situatë kam përgjegjësi para qytetarëve të Maqedonisë qoftë të jenë shqiptar, maqedonas, turq, romë, serb, vllah dhe në këtë rast nuk shërbehem me emocione politike për politikë ditore, për rejting etj. Unë jam për politikë kombëtare e cila është në interes të të gjithë qytetarëve”, ka thënë Ahmeti.
Në Kuvend sot pasdite Zaev do të ketë takim edhe me kryetarin e Partisë Demokratike të turqve Bejxhan Iljas, ndërsa tema do të jenë zgjedhjet e ardhshme presidenciale.