Mesfushori i Romës, Nicolo Zaniolo, është bërë vetëm futbollisti i katërt në histori që është ftuar te përfaqësuesja A e Italisë pa debutuar në Serie A.
Zaniolo ka mbushur 19 vjet në korrik dhe është lojtar i dal nga akademia e Interit. Ai ka kaluar te Roma këtë verë si pjesë e marrëveshjes që dërgoi Radja Nainggolanin te Interi, transmeton “Koha Ditore”.
Mesfushori kreativ është befasi në listën e lojtarëve që ka publikuar seleksionuesi i Italisë, Roberto Mancini, për ndeshjet e Ligës së Kombeve kundër Polonisë e Portugalisë.
Zaniolo ka luajtur 18 ndeshje për Italinë në grupmoshën U-19, duke realizuar gjashtë gola, por ende nuk ka debutuar në Serie A.
Tre lojtarët e tjerë që janë ftuar në përfaqësuese pa debutuar në Serie A ishin Raffaele Costantino në vitin 1929, Massimo Maccarone në vitin 2002 dhe Marco Verratti në vitin 2012. Mirëpo Maccarone kishte kaluar te përfaqësuesja A nga ajo U-21, ndërsa Zaniolo ende nuk ka luajtur as për përfaqësuesen U-21 të Italisë.