Xhavit Zariqi nga AAK-ja ka thënë se kandidimi i Ramush Haradinajt për president nuk nënkupton se kjo është një garë e hapur me partnerin e koalicionit LDK-në.
“AAK-ja në vazhdimësi ka qenë prijëse e proceseve dhe jo vëzhguese. Ky proces nuk është garë mes LDK-së dhe AAK-së, por është një proces për të cilin duhet të angazhohen të gjitha partitë politike në mënyrë që shteti të mos mbesë pa institucione, në këtë rast pa institucionin më të rëndësishëm të vendit – presidentin”.
“Duke pasë parasysh rrethanat politike në Kosovë besoj se të gjithë duhet të jenë të interesuar për të ruajtur një stabilitet politik, sepse momentumi politik nuk është i volitshëm në asnjë aspekt. Duke pasë parasysh edhe gjendjen ekonomike që është jashtëzakonisht e rëndë dhe po rëndohet edhe më shumë secili subjekt dhe lider politik duhet të jetë i interesuar për stabilitet politik”.
“Nisur nga kjo gjendje kemi propozuar si AAK liderin Ramush Haradinaj për president. Kjo nuk do të thotë që jemi futur në garë me LDK-në ose me ndonjë parti tjetër. Ne kemi ofruar që të marrim përgjegjësi për vendin ashtu siç kemi marrë në vazhdimësi”.
“Ne kemi ofruar veten për të marrë përgjegjësi, por kjo nuk do të thotë që jemi futur në garë me LDK-në me të cilën besojmë se kemi një koalicion qeverisës jashtëzakonisht korrekt.
Zariqi në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se aktualisht në Kosovë askush nuk mund të bëhet president pa marrëveshje mes partive politike.
Por, pse duhet të jetë Ramush Haradinaj president?
“Ramush Haradinaj, sipas AAK-së, duhet të jetë president i Kosovës dhe duhet ta ketë mbështetjen e partive të tjera, sepse është një nga liderët më unifikues të subjekteve politike, sepse në bashkëpunimet e deritanishme politike ka qenë korrekt me të gjitha partitë politike – pavarësisht nëse ka qenë në qeverisje ose jo”.
Zariqi ka thënë se Kosova nuk e ka luksin që të shkojë në zgjedhje, derisa është shprehur i bindur se çështja e presidentit nuk do ta prishë koalicionin qeverisës.
“Unë nuk mund t’i di takimet që ka kryetari i partisë, por besoj se mund të ketë pasë takime dhe biseda joformale. Besoj që kjo çështje është biseduar dhe është duke u biseduar. Dihet që në afatin normal nuk jemi larg zgjedhjes së presidentit dhe situata e krijuar kërkon stabilitet politik që është edhe interes i Kosovës”.
“Mund të shkojmë edhe në zgjedhje, por nuk besoj që Kosova e ka luksin që të shkojë kaq shpejt dhe shpesh në zgjedhje. Nisur nga ky fakt, besoj që Ramush Haradinaj ka mundur të bisedojë me partitë politike, por nuk e di nëse ka arritur konsensus. Subjektet politike duhet të bisedojnë për të gjetur një rrugë sa më të shpejtë dhe të drejtë për zgjedhjen e presidentit”.
“Nuk dua që presidenti aktual të akuzohet dhe të shkojë në Hagë. Do të dëshiroja që të mbetet këtu, por procesi i zgjedhjes së presidentit do të ndodhë pavarësisht nëse do të konfirmohet ose jo aktakuza”.
“Unë sa e di në marrëveshjen për bashkëqeverisje nuk ka qenë çështja e presidentit dhe nuk ka të bëjë me qeverinë. Nuk besoj se qeveria do të prishet. Besoj që duhet të ketë vullnet i gjithë spektri politik, partitë politike qeverisëse dhe PDK-ja si variant i bashkëpunimit dhe nëse ka interes që të jetë një president i vendit dhe të mos shkohet në zgjedhje mund të arrihet”.
Ai po ashtu është shprehur i bindur se Kosova nuk e ka luksin as për një president apartiak.
“Kosova nuk e ka luksin në këtë moment dhe me këtë proces zgjedhor që e kemi të ketë një president apartiak. Kosova ka krijuar kuadro akademike që nuk kanë interesim për politikën e vendit të tyre. Nuk kanë qenë dhe nuk janë të interesuar të jenë vendimmarrës në proceset e mëdha politike. Në Kosovë kemi shumë pak ose fare intelektualë që interesohen për shtetin dhe interesat e tij, por edhe nëse kemi pa mbështetje të partive politike me këtë konstalacion të forcave në Kuvend nuk mund të fitojë askush”.