Zbardhet dosja sekrete kundër Saimir Tahirit

Prishtinë | 21 Tet 2017 | 09:31 | Nga

Mbledhja e Këshillit të Mandatëve ditën e djeshme u realizua edhe me dyer të hapura edhe më dyer të mbyllura ku u hapën dosjet sekrete për ish-ministrin Saimir Tahiri.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka bashkuar në materialin e saj dosjen origjinale me vulat zyrtare prej 416 faqesh të ardhur nga Prokuroria italiane e Katanias me hetimet e Prokurorisë shqiptare për aktivitetin kriminal të Habilajve.

Mësohet se SHISH dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë hetuar për më shumë se një vit veprimtarinë e Habilajve, hetim që çoi në kapjen e 4 tonë kanabis sativa në Babicë të Vlorës.

Mësohet se në këtë dosje janë transkriptet e përgjimeve dhe të gjithë emrat e punonjësve të Policisë të implikuar me grupin kriminal Habilaj, të cilët lehtësonin kultivimin dhe trafikimin e drogës.

Prokurorët e Krimeve të Rënda janë shprehur para deputetëve se presin një material shtesë po aq voluminoz nga Prokuroria italiane për Habilajt.

Gjithashtu, pjesë e dosjes sekrete është dhe hetimi i bërë nga Prokuroria shqiptare bazuar në të dhënat e sistemit TIMS në lidhje me hyrje-daljet e ish-ministrit Tahiri jashtë vendit me makinën që i kishte shitur Artan Habilajt, shkruan Panorama.

Mësohet se anëtarët e Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve nuk kanë firmosur deklaratën e sigurisë të Prokurorisë që u ndalon në mënyrë kategorike atyre të bëjnë publik pjesë të sekretit hetimor të dosjes.

Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura thanë dje se deputetët e maxhorancës u kishin kërkuar prokurorëve të Krimeve të Rënda indicie që lidhin Saimir Tahirin me veprimtarinë kriminale të vëllezërve Habilaj, ndërsa janë informuar vetëm për përgjimet e trafikantëve dhe të dhënat e sistemit TIMS.

Avokati i deputetit Tahiri, Artan Hajdari, kërkoi dy ditë kohë që të përgatitet për përgjigjet ndaj Prokurorisë, por kryetari i Kuvendit i la atij vetëm 24 orë kohë, për ta mbledhur Këshillin e Mandateve dhe Imuniteteve sot në orën 10:00.

Deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, anëtar i Këshillit të Mandateve dhe Imuniteteve, tha se ishte për t’u habitur, por prokurorët s’kishin asnjë provë më shumë se disa materiale që i dispononte edhe demokrati Gent Strazimiri.

“Pasi mbaroi seanca publike, kujtova se në seancën me dyer të mbyllura do na vënë në dispozicion prova. Jam befasuar kur prova që ata kishin ishte një material nga ato 416 faqet e bëra publike në media dhe portale, që çuditërisht me firmë e kishte Gent Strazimiri, pra një pjesë të këtij materiali e dispononte deputeti i PD”, tha Manja.

Ndërkohë deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, tha dje se Prokuroria ka paraqitur prova dhe fakte që përbëjnë sekret hetimor gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura. “Janë paraqitur prova sekrete nga ana e Prokurorisë. Sot i është dhënë privilegj Tahirit për t’u mbrojtur.

Maxhoranca bllokoi vijimin e procedimit, ndërsa pyetjet e Tahirit ishin në shkelje të rregullores. Sipas rregullores, pyetjet ndaj Prokurorisë duhet të bëhen me shkrim”, tha Alibeaj. Edhe anëtarja tjetër e Këshillit, socialistja Vasilika Hysi, tha se Prokuroria nuk kishte prova sekrete.

“Bazuar në kërkesën e depozituar nga Prokuroria rezultonte që nuk kishte dokumente shoqëruese, prova që kërkon kodi për të autorizuar heqjen e lirisë ose arrestimin.

U kërkua seancë e mbyllur për t’u njohur me prova, por faktikisht ne u njohëm me veprimet hetimore, që janë mjetet e kërkimit të provës, por jo me prova”, tha Hysi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme