Familjarët e personave, shtëpitë e të cilëve janë shkatërruar në Shqipëri nga tërmeti më i fuqishëm në dekada, janë duke pritur lajme të reja, teksa ekipet e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet nën rrënoja.
Si pasojë e këtij tëmeti me magnitudë 6.4, kanë vdekur të paktën 45 persona.
Ekipet nga Kosova, Serbia, Italia, Franca, Greqia, Zvicra, Turqia dhe Kroacia janë duke ndihmuar në kërkime.
“Ekipet tona janë duke punuar vazhdimisht. Është situatë, shumë shumë e vështirë”, ka thënë zëdhënësi italian i shërbimit të zjarrfiksve, Luca Cari për agjencinë, Ansa news.
Kryeministri shqiptar, Edi Rama ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme, për të mundësuar krijimin e fondeve për Durrësin dhe qytezën Thumanë, që janë prekur më së shumti nga tërmeti.
Zyrtarët ende nuk kanë ofruar shifra se sa persona mund të jenë nën rrënoja.
Tërmeti ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së martës, kur shumica e personave kanë qenë në gjumë.
Shqipëria shtrihet në zonë tektonike të Adriatikut.
Në prill të vitit 1979, një tërmet me magnitudë 6.9 ka goditur Shqipërinë dhe shtetin fqinj, Malin e Zi, duke lënë 136 persona të vdekur dhe më shumë se 1,000 të plagosur.