Ish-mesfushori legjendar i Barcelonës e tani trajner në Al Sadd, Xavi Hernandez, ia kishte vënë klubit katalonas disa kritere para se ta pranonte postin e trajnerit në vend të Ernesto Valverdes.
Në fund, Xavi nuk arriti marrëveshje me drejtorin sportiv të Barcelonës, Eric Abidalin, dhe klubi katalonas në fund vendosi ta sjellë ish-trajnerin e Real Betisit, Quique Setienit, e të mos dorëzohet para kërkesave të Xavit.
Ish-mesfushori legjendar spanjoll i parashtroi tetë kërkesa Barcelonës për t’u kthyer në Camp Nou, gjatë takimit në janar me Eric Abidalin në Doha të Katarit, ku Barcelona ishte për ndeshjet e Superkupës së Spanjës, sipas Cadena SER.
Në mesin e këtyre kritereve, Xavi u tha drejtuesve të klubit katalonas se ishte i gatshëm ta merrte postin e trajnerit vetëm në qershor e jo në janar; ai dëshironte kontroll maksimal të zonës sportive, përfshirë këtu zhvillimin e akademive; dhe dëshironte ta kishte Carles Puyolin në stafin e tij.
Xavi gjithashtu kërkonte ta rindërtonte ekipin mjekësor të klubit, si dhe dëshironte ta kthente Jordi Cruyffin dhe Joan Vilan në skuadër. Ai kërkoi edhe ta punësonte vëllain e tij, Oscarin.
Barcelona nuk i pranoi këto kërkesa dhe për këtë arsye vendosi t’i ofrojë kontratë Setienit. /Gazeta Express/