Një sasi e madhe droge është zbuluar në ujërat e bregdetit të Durrësit, mëngjesin e sotëm. Droga u gjet nga Roja Bregdetare e hedhur në det, në afërsi të Kepit të Rodonit dhe në zonën e Gjirit të Lalëzit.
Policia ka sekuestruar 113 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, ndërsa vijon puna për zbulimin e autorëve të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës kanë kryer veprimet e mëtejshme procedurale dhe peshimin e lëndës, ku në përfundim rezultoi se pesha e përgjithshme e lëndës narkotike ishte 113 kg e futur në 22 pako.
Grupi hetimor në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda vijojnë hetimet për zbulimin e origjinës së lëndës, identifikimin e personave të përfshirë në këtë aktivitet kriminal dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar në nenin 283/a të Kodit Penal.