Zbulohet identiteti i personit të vrarë në Kaçanik

Kaçanik | 10 Maj 2022 | 15:31 | Nga Ekonomia Online

Hasan Berisha, nga fshati Dubravë e Kaçanikut, është vrarë sot në Kaçanik si pasojë e një shkëmbimi me armë zjarri, raporton Paparaci.

Burimet i kanë thënë Paparacit se Berisha, një person i njohur për autoritetet e sigurisë dhe drejtësisë në vend, vdiq nga plagët e marra me armë zjarri në afërsi të varrezave të Kaçanikut mesditën e së martës.

Në të njëjtin rast mbeti i plagosur një person tjetër, tha sot zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Kanun Veseli.

Sipas një raportimi të Betimit për Drejtësi në vitin 2018, Hasan Berisha ndiqej penalisht nga Prokuroria e Shtetit për veprën penale të detyrimit në tentativë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Hasan Berisha dhe i akuzuari tjetër Basri Baftiri, dyshohen se me qëllim që vetës t’i sillnin dobi pasurori të kundërligjshme, kanë përdorur kërcënimin e rëndë për të detyruar personin tjetër që të veproj në dëm të pasurisë së tij.

Zbardhen detaje nga vrasja me armë zjarri në Kaçanik

Policia e Kosovës ka thënë se një person është vrarë dhe një tjetër është plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri në Kaçanik të martën.

Rasti ka ndodhur në afërsi të varrezave në qytetin e Kaçanikut, ka thënë Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë së Kosovës në Stacionin e Ferizajt.

“Policia e kishte marrë informacionin se dy persona kishin marrë plagë nga arma e zjarrit. Mjeku prezent në vendin e ngjarjes e ka konfirmuar vdekjen e viktimës”, tha ai.

“Ndërsa, personi tjetër i lënduar është transportuar për ndihmë mjekësore në Ferizaj, dhe më pas në Prishtinë”, ka thënë Veseli.

I dyshuari është vënë në kërkim policor.

Paparaci nga burime të mirë informuara ka mësuar se viktima (emër i njohur për redaksinë), është nga fshati Dubravë i kësaj komune.

Të ngjashme