Presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe Francës të mërkurën bënë një hap drejt përmirësimit të raporteve pas mosmarrëveshjes për paktin e ShBA-së me Australinë.
Franca u pajtua ta kthejë ambasadorin e vet në Uashington, ndërsa Shtetet e Bashkuara pranuan se kanë gabuar që nënshkruan marrëveshje me Australinë për t’i shitur nëndetëse me energji bërthamore pa u konsultuar me Parisin.
Përmes një deklarate të publikuar pas bisedës telefonike 30-minutëshe mes presidentëve Joe Biden e Emmanuel Macron, dy udhëheqësit njoftuan se u pajtuan për të nisur diskutime të thella për rindërtimin e besimit dhe për t’u takuar në Evropë në fund të tetorit, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Në deklaratë thuhet se Shtetet e Bashkuara u zotuan për ta rritur përkrahjen për operacionet kundër terrorizmit në Afrikë, të cilat kryhen nga shtetet evropiane.
Telefonata e Bidenit me Macronin ishte përpjekje për t’i ulur tensionet, pasi Franca i akuzoi Shtetet e Bashkuara për thikë pas shpine, kur Australia e anuloi marrëveshjen 40-miliardëshe për blerjen e nëndetëseve franceze e i zgjodhi nëndetëset amerikane.
E zemëruar me paktin e befasishëm mes Shteteve të Bashkuara, Australisë e Britanisë së Madhe, Franca para disa ditëve i tërhoqi ambasadorët e vet nga Uashingtoni dhe Canberra.