Funksionari i Lëvizjes Vetëvendosje, Hysen Durmishi, i cili mori kritika të ashpra kur tha dje se gazetarët duhen tërhequr zvarrë, e ka zbutur pak deklaratën e tij.
Në një status të ri në Facebook, drejtori për Infrastrukturës në Komunën e Prishtinës, ka thënë se deklarata e djeshme “ka qenë nga nervoza dhe edhe mund të kem gabuar që e kam përdorur si simbolikë tërheqjen zvarrë”.
Por, ai vazhdon të mendojë se publikimi i videove nga Burgu i Prizrenit, nga dita e vdekjes së Astrit Deharit, nga disa medie, është veprim “i pështirë”.
Më herët gjatë ditës, ndaj deklaratës së Durmishit kishte reaguar dhe kreu i lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri. Ai është distancuar nga kërcënimi i Durmishit ndaj atyre që i cilësoi si “media të pushtetit të Klanit Pronto”, por duke e arsyetuar se deklarata është bërë nën pikëllim e revoltë.
Postimi i plotë i Durmishit:
“Ato që i kanë bërë gjatë këtyre ditëve gazeta express, indeksonline dhe Klan Kosova janë të papranueshme dhe të pështira.
Statusi im i djeshëm ka qenë nga nervoza dhe edhe mund të kem gabuar që e kam përdorur si simbolikë tërheqjen zvarrë. Natyrisht që unë as nuk kam tërhequr zvarrë askënd e as nuk do e tërheqë zvarrë askënd as në të ardhmen sepse nuk e kam ndërmend të bëhem polic. Ne aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! jemi tërhequr zvarrë, jemi arrestu, jemi vrarë e jemi plagosur nga pushtetet – regjim në Kosovën e pasluftës edhe nën aplaudimin e mediave të pushtetit – regjim.
Qëndrimi i nënës heroinë, Xhemile Dehari, mbajtur dje në konferencë për media është qëndrimi im”.