Zbutet Macroni, Franca ia shtyn sanksionet Britanisë

Prishtinë | 02 Nën 2021 | 08:56 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, ka thënë se vendi i tij do t’i shtyjë masat hakmarrëse ndaj Britanisë së Madhe përderisa vazhdojnë bisedimet rreth të drejtave të peshkimit pas Brexit-it.

Franca disa ditë më parë kërcënoi se do t’ua ndalojë barkave britanike qasjen në porte shkaku i mosmarrëveshjes për lëshimin e lejeve të peshkimit për peshkatarët francezë nga Mbretëria e Bashkuar.

Megjithatë, presidenti francez tha para gazetarëve se sanksionet do të mbeten të pezulluara përderisa vazhdojnë bisedimet mes zyrtarëve, shkruan BBC.

Britania e Madhe tha se e mirëpret këtë lëvizje dhe se do t’i vazhdojë diskutimet intensive. Një zëdhënës qeveritar shtoi se në diskutime do të përfshihet shqyrtimi i ndonjë dëshmie të re për t’i përkrahur aplikimet e mbetura franceze për leje.

Ministri i Brexit-it, Lord Frost, do të takohet të enjten me ministrin francez për Çështje Evropiane, Clement Beaune, për të diskutuar për një varg çështjesh që lidhen me Brexit-in.

Qeveria franceze tha se masat e saj nuk do të hyjnë në fuqi para zhvillimit të këtij takimi. Zyra e Presidentit tha se pret që deri të mërkurën Britania t’i përgjigjet propozimeve më të reja të Francës për dhënien e lejeve.

Mosmarrëveshja mes dy fuqive evropiane për të drejtat e peshkimit shpërtheu muajin e kaluar, pasi Britania dhe Ishulli Jersey nuk lëshuan leje për dhjetëra barka franceze që të operojnë në ujërat afër bregdetit.

Përfaqësues të Komisionit Evropian, Francës dhe Britanisë së Madhe Ishujve të Kanalit i filluan bisedimet të hënën në përpjekje për të gjetur zgjidhje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme