Zëvendësministri të Financave, Kushtrim Brahimaj, nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka thënë se buxheti i vitit 2021 duhet të votohet.
Ai ka thënë se nëse nuk ndodh do të ketë bllokadë buxhetore në vitin 2021.
“Nëse nuk miratohet buxheti nga kjo legjislaturë, në muajin mars 2021 Kosova do të futet në Bllokadë Buxhetore nga e cila pëson sektori publikë, sektori privat dhe i gjithë sistemi ekonomik i vendit. Kjo bllokadë nga muaji mars do t’i lë pa paga nëpunësit e sektorit publikë, pa pagesa përfituesit e skemave pensionale dhe sociale, do të pamundësohen pagesat e punëve publike të cilat dëmtojnë direkt sektorin privat, do të bllokohen komunat që të përmbushin planet e tyre gjatë vitit të ardhshëm”.
Po ashtu, ai ka shtuar se mosmiratimi i buxhetit nga kjo legjislaturë do të shkaktojë probleme serioze në menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe do të krijojë vonesa në blerjen e vaksinës kundër COVID-19 dhe do ta vonojë implementimin e tërësishëm të Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike.
“Kuvendi i ri dhe Qeveria e re që derivojnë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme e kanë mundësinë ligjore që në çdo kohë ta plotësojnë dhe ndryshojnë Buxhetin e vitit 2021, sipas planeve dhe objektivave të tyre qeverisëse”.