Zëdhënësi i PDK-së: Qeveria po dialogon për normalizim të raporteve, kjo po e forcon “status quon” në veri

| 15 Maj 2023 | 15:11 | Nga

Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Faton Abdullahu, ka deklaruar se situata në veri është shumë e keqe, sidomos tash pa praninë e institucioneve vendëse.

Në një status në Facebook, Abdullahu ka thënë se kjo situatë atje, është e preferuar për Serbinë.

Sipas tij, Qeveria Kurti po dialogon për normalizim të raporteve Kosovë-Serbi, ndërkaq, thotë se normalizimi po e forcon “status quon” në veri.

“Në veri, sidomos tash edhe pa prani të institucioneve të Kosovës, situata është shumë e keqe. Në anën tjetër, mu për këtë arsye për Serbinë në veri të Kosovës situata është shumë e preferueshme. Tashmë kjo gjendje po bëhet normale”, ka shkruar ai.

“Në Bruksel Qeveria Kurti po dialogon për normalizim të raporteve Kosovë-Serbi. Normalizimi po e forcon ‘status quon’ në veri. Sa më shumë forcohet ‘status quo-ja’ në veri aq më shumë asociacioni sforcohet si ofertë normale. Vetëm njohja nga Serbia po mbetet jo normale”, ka shkruar tutje ai.

Të ngjashme