Zëdhënësi i Partisë Demokratike të Kosovës, Avni Bytyçi, ka kujtuar deklaratën e liderit të PDK-së Kadri Veseli, i cili para zgjedhjeve të fundit kishte deklaruar në Kuvendin e Kosovës se “Albin Kurtit si kryeministër, sherrin ka me ja pa Kosova, ka me sjellë Serbinë në Kosovë”.
Bytyçi ka shkruar në faqen e tij në Facebook se kryeministri në largim Albin Kurti prej ardhjes në pushtet e deri tash i ka kpnfirmuar të gjitha paralajmërimet e Kadri Veselit ndaj tij.
Ai vlerëson se Kurti për kaq pak kohë në krye tē Qeverisë i ka bërë shumë dëme Kosovës në raport me miqtë dhe me Serbinë.
Deklarata e plotë e Avni Bytyçit:
“Profecia politike” që kurrë nuk do të duhej të ishte bërë realitet. Në politikë pak gjëra mund të parashikohen, pasi që faktori kryesor është njeriu, “kafsha politike” më e pa parashikueshme. Ndërsa çdo “profetizim” i mundshëm në politikë është i gabuar, i huqur edhe ne 99 % të rasteve i rrejshëm, por jo kësaj radhe. Në një debat në mes të Kadri Veselit dhe Albin Kurtit në Kuvendin e Kosovës, kur i pari e pati parashikuar të ardhmen e Albin Kurtit dhe rrezikun që ka Kosova nga ai po të vije si kryeministër. “Sherrin ka me ta pa Kosova, ke me kthy Serbinë në Kosovë”.
Ishte parashikimi z. Veseli. Unë nuk dyshoj që shumë pak njerëz e kanë besuar. Po shenjat janë të tilla, faktike dhe të pa mohueshme. Me Albin Kurtin kryeministër, Serbia kurrë nuk ka qenë më shumë prezente në Kosovë. Jo vetëm në aspektin deklarativ, por edhe në nivelin faktik. Gjithçka filloi me një kafe në Tiranë në mes Gjuriqit dhe Sveçlës për t’u dakorduar me Listën Serbe për bashkë-qeverisje, pastaj vazhdoi me një buzëqeshje dhe zgërdhirje në një takim në mes të Albinit dhe Brnabiqit.
Nga kafja miqësore e deri te zgërdhirja, kaluan në marrëveshje sekrete e praktike për dorëzimin de fakto të kontrollit të veriut në dorë të Serbisë. Në më pak se pesë muaj nga kjo qeveri, tanimë Serbia dhe kushtetuta e saj që e konsideron Kosovën pjesë të saj u bë referencë ligjore e politike për Lëvizjen Vetëvendosje. Siç duket, Lëvizja Vetëvendosje e ka harruar Shqipërinë e tani po mendon vetëm për Serbinë, e shumë pak për Kosovën.