Anëtari i Këshillit Drejtues të PDK-së, aktualisht zëvendësministër i Brendshëm, Izmi Zeka, ka thënë se kjo parti nuk do të bëjë koalicion paszgjedhor me asnjë parti politike që ka njerëz me afera korruptive.
Sipas tij, parimisht PDK-ja nuk ka vija të kuqe për asnjë parti politike, por nuk do të lejojnë që pjesë e bashkëqeverisjes të jenë njerëzit me aktakuza.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online i është kundërpërgjigjur nënkryetarit të AAK-së, Rexhep Kadriut, i cili një ditë më parë tha se nuk do të bashkëqeverisin më me PDK-në.
Zeka tha se AAK-ja tha partitë e tjera po bëjnë fushatë për të përfituar vota duke e sharë PDK-në.
“Ne nuk kemi vija të kuqe për askënd, sidomos për shqiptarët. Ne edhe lufta kur është bërë, është bërë luftë e përbashkët e qytetarëve të Kosovës. Në këtë demokraci kur po synojmë të jemi pjesë e Evropës dhe të kemi vija të kuqe për shqiptarët është një absurd i llojit të vet. Ne besojmë që do të jemi të parët dhe nuk do të qeverisim me ata që kanë vija programore të përbashkëta. Por, një është e qartë, ne nuk do të lejojmë në qeverisjen e ardhshme asnjë parti e cila ka njerëz me aferë korruptive në qeverisje. Me neve nuk mund të hyjnë në koalicion, vija të kuqe s’kemi, por partitë të cilat kanë njerëz me afera korruptive nuk mund të jenë pjesë e listës së Qeverisë së ardhshme. Në këtë çështje nuk bëjmë kompromis as në të ardhmen, por nuk do të bëjmë asnjëherë, është çështje e prerë”.
“Zakonisht partitë e tjera po shikojnë për të përfituar vota, për të përfituar njëherë duke e sharë Hashim Thaçin, Presidentin e Kosovës, e vetmja kauzë që u ka mbetur partive tjera është se kur merren me PDK-në dhe Kadri Veselin mos po përfitojnë më shumë vota. Kjo më shumë është logjikë e mbrapsht. Unë nuk do të merrem me Rexhep Kadriun as me asnjë njeri të partive politike, por le të tregojnë se çfarë bëjë dhe çfarë do të bëjnë. Ne fatmirësisht secili subjekt politik e ka një histori, secili individ e ka historinë. Edhe në të kaluarën të gjitha partitë kanë thënë nuk bëjmë koalicion me PDK-në dhe kanë ra në shtatin e PDK-së dhe kësaj radhe është marketing i fushatës për të vjelë vota duke e sharë PDK-në”.
Zeka në këtë intervistë për EO ka folur edhe për pastërtinë e listës së PDK-në në këto zgjedhje duke thënë se aty nuk ka njerëz me aktakuza.
Ai thotë se PDK-ja ka listën më të fuqishme intelektuale.
“Unë mund të them me garancion të plotë që Partia Demokratike e Kosovës përveç që ka një listë të pastër, nuk ka njerëz me aktakuza, kjo është një prej segmenteve. PDK-ja ka listën më të fuqishme intelektuale, kombëtare etj. Qëndrimet e PDK-së janë të qarta, ne nuk i diskutojmë, momentin që merren vendime në parti, ato vendimet ekzekutohen deri te niveli më i ulët i anëtarëve të PDK-së”.
“Jo rastësisht ne edhe në fushatën që po e bëjmë ne do ti themi stop korrupsionit në Kosovë dhe nepotizmit dhe lufta jonë e pakompromis edhe pas këtyre zgjedhjeve kur do të qeverisim do të jetë kjo çështje. Nuk mund më pakufi që kjo çështje të zgjatet dhe qytetarët të ndihen keq dhe në një farë forme të krijohet një perceptim që Kosova është një vend i korrupsionit. Ne jo që e kemi vetëm mision dhe kauzë e kësaj fushate, por është interes i vetë qytetarëve të Kosovës. Ne duam ta kthejmë Kosovën me “Dekadën e Re” fuqishëm në stabilitet ligjorë”.