Kosova po bën përgatitjet për anëtarësim në Interpol

Prishtinë | 17 Sht 2018 | 13:48 | Nga

Institucionet e Kosovës janë duke i bërë të gjitha përgatitjet për anëtarësim në Interpol. Përfaqësuesit e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të Policisë së Kosovës kanë shprehur optimizëm se në vjeshtën e këtij viti Kosova do të mund të bëhet anëtare e kësaj organizate botërore të policisë.

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, ka thënë për gazetën “Epoka e re” se Kosova tashmë është pjesë e agjendës në takimin e radhës të Asamblesë së Përgjithshme që zhvillohet nga 18 deri më 21 nëntor 2018 në Dubai.

“Aktivitetet e institucioneve të Kosovës janë duke u koordinuar nga grupi punues ndërintistucional. Angazhimet dhe përpjekjet e institucioneve të Republikës së Kosovës janë gjithëpërfshirëse dhe të bashkërenduara në nivelin nacional dhe me partnerët strategjikë të Republikës së Kosovës. Anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare ka qenë dhe është një proces i pakthyeshëm dhe i pandalshëm, ashtu siç është dëshmuar me anëtarësimet e deritanishme të vendit tonë në më shumë se gjashtëdhjetë organizata rajonale, evropiane dhe ndërkombëtare”, ka thënë Zeka.

Ai ka shtuar se procesi i anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë është në interes të organizatave ndërkombëtare dhe shteteve anëtare në përgjithësi dhe i Republikës së Kosovës në veçanti.

“Anëtarësimi i Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë duhet të shihet nga të gjithë si një proces i natyrshëm dhe i domosdoshëm që do t’i kontribuojë rritjes së efikasitetit të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtare për parandalimin dhe luftimin e krimit të organizuar transnacional, terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, ka thënë zëvendësministri.

Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ka shprehur optimizëm se sivjet aplikimi do të jetë i suksesshëm.

Ai ka treguar se kësaj here ka një koordinim të aktiviteteve nga të gjitha institucionet për këtë çështje.

“Synimi i të gjithëve është që sa më shpejt të pranohemi në Interpol dhe më vonë në Evropol. Besoj se i kemi gjasat mjaft të mira kësaj here, ani pse nuk do të jetë lehtë. Kjo rrugë ka shumë sfida. Ju me siguri jeni në dijeni për fushatën e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në institucione ndërkombëtare. Personalisht mendoj se anëtarësimi i Kosovës në Interpol më shumë i konvenon Interpolit, meqenëse për momentin jemi vetëm konsumues të sigurisë. Po të ishim anëtarë edhe ne do të kontribuonim me informatat tona në luftimin e të gjitha dukurive negative: si atyre të migrimit ilegal, të dokumentacionit, të gjurmëve të gishtit dhe të njerëzve që janë në listat e kuqe”, është shprehur Qalaj, duke shtuar se tani Kosova e ka edhe mbështetjen e nevojshme ndërkombëtare në këtë çështje.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme