Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Milaim Zeka, ka thënë se fajin për mos mbajtjen e seancës e ka kryesia e Kuvendit, ngase nuk ka pasur koordinim edhe pse e kanë ditur që një pjesë e deputetëve të Kuvendit kanë qenë jashtë shtetit.
“Ideja e thirrjes së kësaj seance është ide absurde, ngase ministri i Jashtëm, Behxhet Pacolli, ka injoruar edhe komisionin parlamentar për Politikën e Jashtme dhe asnjëherë nuk i është përgjigjur ftesave dhe është dashur të dihet se edhe sot do të ndodh e njëjta gjë”, ka thënë Zeka, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, nuk ka vlerë mbajtja e seancave nëse nuk miratohen ligjet.
Ai ka thënë se ndjenë keqardhje për qytetarët e Kosovës, ngase ka një sërë projektligjesh shumë të rëndësishme të cilat presin të miratohen.