Zeka: Haradinajn po e vjedhin disa hajdutë të vegjël

Prishtinë | 12 Mar 2019 | 12:46 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Deputeti i Nisma Socialdemokrate, Milaim Zeka, ka hedhur akuza ndaj keqpërdorimeve të parëse së shtetit. Zeka tha se kryeministrin e vendit, Ramush Haradinaj, po e vjedhin, siç i ka quajtur ai, disa “hajdutë të vegjël”, raporton Ekonomia Online.

“Po e vjedhin do hajna me lapsa, me flamuj. Dhe nëse kryeministri nuk i eliminon këta hajdutë të vegjël, paramendo çfarë bëjnë ata hajnat e mëdhenj”, tha Zeka.

Ai shtoi se ka pasur keqpërdorime edhe nga qeveritë e kaluara, duke përmendur atë të drejtuar nga Agim Çeku, ku sipas tij, në atë kohë në planin strategjik zhvillimor janë vjedhur 1.8 milionë euro.

“Mjetet e 1.8 milionë euro janë vjedhur nga Instituti Riinvest dhe kryeministri në atë kohë, Agim Çeku. Këtë e din më së miri Lumir Abdixhiku. Unë e konsideroj nga ministrat më të ndershëm Bedri Hamzen dhe Avdullah Hoti”, u shpreh Zeka.

Akuza për shpenzime bëri edhe nga ish ministres për Dialog, Edita Tahiri, por fjala e tij u ndërpre nga kryesuesi i seancës, Xhavit Haliti.

“Seanca nuk është thirrur për Edita Tahirin. Të lutem ulu në vend”, i ka thënë Xhavit Haliti, teksa ia ka ndërprerë fjalën, raporton Ekonomia Online.

Shpenzimet e Tahirit i ka arsyetuar deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj.

Ai tha se pavarësisht se mund të mos pajtohen me pikëpamjet e saj, delegacioni shtetëror nuk mund të flinte në rrugë.

Haradinaj u kundërpërgjigj duke thënë se nuk mund ta quaj hajn Agim Çekun.

“Sa i përket shpenzimeve për pavarësi, ende nuk ka një raport final, dhe çdo diskutim i tashëm është i hershëm. Nuk është mirë me fol me fjalë të Rekës së Keqe”, tha Haradinaj.

Por  deputeti Milaim Zeka tha se është keqkuptuar pasi që nuk ka thënë se Agim Ceku është hajn, por Riinvest ia  ka vjedhur në kohën e qeverisjes së tij 1.8 milionë euro.

Deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, tha se shpenzimet për festën e pavarësisë janë të papranueshme dhe arsyetimet e kryeministrit, Ramush Haradinaj,  për të nuk janë të qëndrueshme.

“Vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme, sepse ka shpenzime të mjeteve të paligjshme dhe kjo është arsye që ju duhet të shkoni në shtëpi”, tha Haxhiu.

https://www.facebook.com/EkonomiaOnline/videos/563955357433661/

Të ngjashme