Zeka: Ligji për Investime Strategjike s’e zgjidh problemin e investimeve

Prishtinë | 19 Shk 2017 | 08:45 | Nga Albulena Avdiu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ligji për investimet Strategjike do ta pasurojë ofertën e Kosovës para investitorëve të huaj dhe është një element i rëndësishëm që duhet ta përdorin institucionet për të promovuar vendin për investime. Mirëpo ky ligj nuk do ta zgjidhë problemin e tërheqjes së investimeve të huaja.

Kështu thotë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka, në një intervistë dhënë për Ekonomia Online. Ai thekson se shuma e përgjysmuar e investimeve të huaja gjatë vitit të kaluar është një tregues që institucionet duhet të bëjnë më tepër në këtë aspekt.

“Ka pasur përmirësime duke u nisur nga aspektet fiskale, nga legjislacioni tatimor, tashmë edhe me Ligjin për Investime Strategjike, ka pasur ligje të tjera të cilat e kanë përmirësuar mjedisin e të bërit biznes, janë eliminuar procedurat burokratike, por të gjitha këto veprime të qeverisë dhe institucioneve të vendit s’kanë rezultuar me shtim të investimeve të huaja direkte, gjë që na sjell tek një konkluzion logjik që janë këta faktorë të cilët lidhen me sundimin e ligjit, e të cilët kërkojnë një vëmendje më të madhe dhe me urgjente të institucioneve të vendit ashtu që ne të bëhemi më të denjë për investitorë seriozë global”, ka thënë Zeka.

Ndërsa sa i përket  luftimit të krimit, korrupsionit dhe pengesave gjë që kanë ndikuar edhe në tërheqjen e investimeve të huaja, Zeka thotë se përpjekjet e institucioneve kanë qenë të mangëta duke mos treguar efikasitet e rezultate konkrete.

“…Nuk shohim gjykime, nuk shohim verdikte finale dhe ndëshkime të cilat do të jepeshin në rastet më të rënda të korrupsionit dhe kjo sikur e dekurajon shoqërinë edhe në të njëjtën kohë përçon mesazh tek investitorët potencialë se vendi realisht s’ndërmerr masa më serioze në luftimin e korrupsionit”, ka thënë ai, duke theksuar se raporti më i fundit i “Transparency International”, tregon që vendi po bënë pak në luftimin e korrupsionit dhe “që ne vazhdimisht mbetemi në listën e vendeve të cilat kanë edhe një perceptim edhe një prani më të lartë të korrupsionit nga viti në vit”.

Ai ka folur edhe për problemin me energji elektrike gjë që po ndikon tek prodhuesit vendës dhe sipas tij, është një nga shqetësimet kryesore të bizneseve. Këtë shqetësim ai thotë se kanë ngritur në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik.

Siç e dimë që nga disa raporte të publikuara ka dalë që problem kyç për investitorët është jostabiliteti me energji elektrike, bile edhe kohëve të fundit gjatë periudhës së dimrit bizneset janë ankuar që ka pasur ndërprerje të energjisë pa paralajmërim.

“Përveç çështjes së furnizimit të rregullt dhe cilësor kemi ngritur edhe çështjen e tarifave të cilat aplikohen në mënyrë të ndarë për sezonet, pra për stinën e verës dhe stinën e dimrit aplikohen tarifa të ndryshme edhe kjo ankesë dhe shqetësim ka zënë vend në adresimin tonë në këtë Këshill. Kemi kërkuar nga ZRrE-ja, që të shqyrtojë mundësinë e pasjes së një tarife të vetme, ashtu siç natyrisht kemi kërkuar nga kompania KEDS që të jetë më e kujdesshme në rastin e bizneseve së paku mos të aplikojë ndërprerje të paparalajmëruara të energjisë elektrike, pasi kjo shkakton telashe sidomos tek bizneset prodhuese”, ka thënë Zeka.

Në intervistë ai ka folur për zhvillimet ekonomike që nga shpalla e Pavarësisë së Kosovës, ka folur për projektin e termocentralit “Kosova e Re”, për sigurimet shëndetësore, Pakon Fiskale, për marrëveshjen për tregti të lirë CEFTA, e çyshte tjera…

INTERVISTA E PLOTË

EO: Funksionalizimi i Ligjit për Investime Strategjike, a mendoni se do të sjellë investitorë?

Zeka: Ligji do ta pasuroj definitivisht ofertën tonë para investitorëve, por kushdo që ka pritje maksimale nga çudira të mundshme tash pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Investime Strategjike, nuk do të tregonte vetën shumë pragmatik, pra thash do ta pasuronte ofertën tonë para investitorëve të huaj, është një element i rëndësishëm të cilin ne duhet ta përdorim tash e tutje që të gjithë së bashku me institucionet e vendit në promovimin e mundësive për të investuar në Kosovë. Megjithatë Ligji si i tillë nuk mund të zgjidh problemet që vendi jonë ka pasur deri më tani në aspektin e tërheqjes së investimeve të huaja direket.

EO: Cili është ky problem që ju po i adresoheni që ka pasur Kosova dhe që ka ndikuar për mos tërheqjen e investimeve?

Zeka: Natyrisht, që problemet të cilat lidhen me sundimin e ligjit, nga zbatueshmëria e kontratave e deri te mosfunksionimi i duhur i gjykatave, por natyrisht edhe problem të tjera më të thella që vijnë si rezultat i mosfunksionimit të duhur të sundimit të ligjit siç janë: korrupsioni dhe ekonomia joformale, që janë disa prej problemeve dhe aspekteve të cilat merren në konsideratë nga investitorët e huaj para se të vendosin të vijnë në vendin tonë. Rrjedhimisht shuma e përgjysmuar e investimeve gjatë vitit 2016 është një tregues i rëndësishëm se duhet të bëhet më tepër në këtë aspekt. Në të gjitha fushat tjera ka pasur përmirësime duke u nisur nga aspektet fiskale, nga legjislacioni tatimor tashmë edhe me ligjin për investime strategjike ka pasur ligje të tjera të cilat e kanë përmirësuar mjedisin e të bërit biznes, janë eliminuar procedurat burokratike, por të gjitha këto veprime të qeverisë dhe institucioneve të vendit s’kanë rezultuar me shtim të investimeve të huaja direkte, gjë që na sjell tek një konkluzion logjik që janë këta faktorë të cilët lidhen me sundimin e ligjit, e të cilët kërkojnë një vëmendje më të madhe dhe me urgjente të institucioneve të vendit ashtu që ne të bëhemi më të denjë për investitorë seriozë global.

EO: Shumë aktor kanë deklaruar se ligji për investime strategjike është bërë që të anashkalohet ligji për prokurim publik.

Zeka: Nuk do ta konsideroja të tillë meqenëse sërish për elemente të cilat duhet të prokurohen ose të cilat duhet të blihen nga ana e institucioneve të vendit nuk duhet të ketë shmangie nga Ligji i Prokurimit Publik. Ligji për Investime Strategjike, së paku nga ajo që vet kemi parë dhe vet qëllimit të ligjit është që të promovojë negociata më të lehta, më fleksibile ndërmjet investitorëve potencialë strategjik dhe qeverisë në anën tjetër. Por, megjithatë kur bëhet fjalë për blerje të mallrave ose shërbime nga ana e institucioneve të vendit, atëherë natyrisht që ato duhet të zbatojnë ligjin e prokurimit publik dhe këtu nuk shoh ndonjë mundësi për shmangie të ligjit të prokurimit publik.

EO: A mendoni se po bëhet punë më shumë në Kosovë për luftimin e krimit, korrupsionit dhe të gjitha këtyre pengesave, që ju potencuat?

Zeka: Besoj që ka përpjekje, por përpjekjet janë aq të mangëta që zakonisht nuk rezultojnë me rezultate konkrete, nuk u shkohet deri në fund hetimeve të cilat mund të nisen nga kushdo ose si të them veprimeve më të para të cilat ndërmerren nga prokurorët ose atyre veprimeve edhe më të hershme nga Agjencia Kundër Korrupsionit, nuk shohim gjykime, nuk shohim verdikte finale edhe ndëshkime të cilat do të jepeshin në rastet më të rënda të korrupsionit dhe kjo sikur e dekurajon shoqërinë edhe në të njëjtën kohë përçon mesazh tek investitorët potencialë se vendi realisht s’ndërmerr masa më serioze në luftimin e korrupsionit. Dhe krejt në fund është ndoshta një situatë e tillë, e cila vazhdon të reflektojë në raportet e organizatave të ndryshme. Raporti më i fundit i “Transparency International”, i cili tregon që vendi po bënë pak në luftimin e korrupsionit dhe që ne vazhdimisht mbetemi në listën e vendeve të cilat kanë edhe një perceptim edhe një prani më të lartë të korrupsionit nga viti në vit.

EO: Siç e dimë që nga disa raporte të publikuara ka dalë që problem kyç për investitorët është jostabiliteti me energji elektrike, bile edhe kohëve të fundit gjatë periudhës së dimrit bizneset janë ankuar që ka pasur ndërprerje të energjisë pa paralajmërim.

Zeka: Është e saktë që ky është njëri prej shqetësimeve kryesore të bizneseve të sektorit privat në vend, e sidomos të atyre bizneseve të cilat janë të përfshira në sektorin e prodhimtarisë, kanë shqetësime të mëdha sa i përket edhe furnizimit të qëndrueshëm edhe furnizimit cilësor në të njëjtën kohë me energji elektrike. Ky shqetësim natyrisht që është ngritur nga Oda Ekonomike Amerikane, së fundmi edhe në dy takimet e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, përveç çështjes së furnizimit të rregullt dhe cilësor kemi ngritur edhe çështjen e tarifave të cilat aplikohen në mënyrë të ndarë për sezonet, pra për stinën e verës dhe stinën e dimrit aplikohen tarifa të ndryshme edhe kjo ankesë dhe shqetësim ka zënë vend në adresimin tonë në këtë Këshill. Është mirë që të gjitha institucionet publike, por edhe ministritë e qeverisë së Kosovës, të ndajnë të njëjtin shqetësim. Ne njëzëri kemi kërkuar nga ZRrE-ja, që të shqyrtojë mundësinë e pasjes së një tarife të vetme, ashtu siç natyrisht kemi kërkuar nga kompania KEDS që të jetë më e kujdesshme në rastin e bizneseve së paku mos të aplikojë ndërprerje të paparalajmëruara të energjisë elektrike, pasi kjo shkakton telashe sidomos tek bizneset prodhuese.

EO: Ditëve të fundit kemi pasur deklarata nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik Blerand Stavileci se në këta tre muaj do të përmbyllet faza financiare për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re”. A mendoni se ky termocentral do t’i zgjidhë problemet e Kosovës me energji elektrike, marr parasysh atë që edhe shumë aktorë kanë kundërshtuar kontratën që është bërë?

Zeka: Tashmë një pjesë e madhe e ekspertëve të energjisë elektrike edhe çështjeve tjera, e kanë thënë që jemi vonë në aspektin e ndërtimit të Termocentralit “Kosova e Re”, edhe jemi vonë në aspektin e shfrytëzimit të këtyre burimeve fosile të cilat Kosova i disponon, si dhe shndërrimin e tyre në energji elektrike, rrjedhimisht edhe përmirësimin e situatës së furnizimit me energji elektrike që e preokupon edhe vendin tonë edhe rrjedhimisht edhe bizneset të cilat ne i përfaqësojmë. Shpresojmë që të jetë ashtu siç ka paralajmëruar tashmë ministri i Zhvillimit Ekonomik edhe që sa më shpejtë të jetë e mundur të ndërtojmë kapacitete të reja energjetike që të zgjidhim ose së paku të krijojmë sasi të nevojshme të plotësimit të nevojave ose kërkesave të brendshme për energji elektrike. Sa i përket detajeve të kontratës meqenëse nuk i kemi parë, atëherë s’mund të komentojmë, por megjithatë unë besojë se në këtë aspekt është e rëndësishme që vendi të nis të ndërpres importe të shtrenjta dhe të pa nevojshme duke pasur parasysh që kemi burime të bollshme natyrore për gjenerimin me kapacitete vetanake të energjisë elektrike.

EO: Ju keni kërkuar që të shtyhet afati për sigurime shëndetësore, pse e keni bërë këtë?

Zeka: Për shkak se Ministria e Shëndetësisë, nuk ka qenë e gatshme dhe s’ka plotësuar një sërë kriteresh të cilat kanë qenë kërkesa ligjore ose kritere ligjore të parapara me ligjin për sigurimet shëndetësore para se të filloj me mbledhjen e premiumeve, dhe duke bërë thirrje që vazhdimisht mos të lejohet shkelja e ligjeve të caktuara, atëherë e kemi pa të palogjikshme që një institucion shtetëror, në këtë rast Ministria e Shëndetësisë të kalojë në një veprim, e cila e shkel Ligjin në disa kritere të parapara. Ministria s’ka qenë e gatshme as në disa prej hapave të cilat kanë qenë hapa paraprak para se të fillojë mbledhja e premiumeve shëndetësore. Ne gjithashtu i kemi kërkuar me suspendimin e implementimit të Ligjit deri në eliminimin e disa paqartësive ligjore. Disa prej veprimeve të ministrisë në pikëpamje tona natyrisht kanë sugjeruar që natyrisht ministria po diskriminon sektorët ekonomik në këtë rast sektorët e kujdesit shëndetësor , favorizohen institucionet publike derisa lihen anash institucionet private të kujdesit shëndetësorë. Ne kemi thënë që me një ligj tjetër siç është ligji për shëndetësinë është parim kyç që të dy sektorët duhet të trajtohen në mënyrë të barabartë nga Ministria e Shëndetësisë. Andaj kanë qenë këta faktorë të cilët i përmenda dhe ajo çka është më e rëndësishmja mosgatishmëria e ministrisë as në aspektin e krijimit të listës së shërbimeve, as në aspektin e krijimit të çmimores së shërbimeve, pajisjen e qytetarëve ose pajisjen e të siguruarve me kartela ose dokumente të tjera për verifikimin e gjendjes shëndetësore të cilat e kanë bërë të pamundur edhe të palogjikshme nisjen e mbledhjes së premiumeve. Tek e fundit pse duhet qytetarët ose të punësuarit të paguajnë për diçka apo për një shërbim të cilin nuk do të mund të fillojnë ta marrin ose ta gëzojnë që në ditët e para të pagesës për të.

EO: E dimë që nesër është edhe dita e pavarësisë si e keni parë zhvillimin ekonomik të vendit gjatë këtyre viteve ?

Zeka: Momente si këto dhe përvjetorë si këto besoj se janë moment të rëndësishme kur institucionet e vendit meqenëse ato e kanë përgjegjësinë kryesore për përmirësimin e gjendjes ekonomike, sociale të ndalen dhe të mendojnë, të reflektojnë për veprimet e tyre prej një viti në vit, ose prej një përvjetori në përvjetorin tjetër, por jo thjeshtë të mendojnë edhe të shohin se çfarë ka mundur të bëhet më mirë edhe më shpejtë edhe duke i pas parasysh rekomandimet e shumta të cilat jepen prej Asociacioneve të Biznesit, prej organizatave të tjera të shoqërisë civile nganjëherë sikur dekurajohemi, sepse veprimet e tilla nuk shndërrohen në veprime konkrete të cilat pastaj edhe do të ndihmonin edhe në fuqizimin e mëtejmë të sektorit privat, përmirësimin e mjedisit të të bërit biznes, tërheqjen e investimeve të huaja direkte. Ka shumë gjëra të cilat mund të bëhen me një dinamikë më të shpejtë duke e ditur se si sektori publik është i mbi punësuar me njerëz, atëherë ne thjesht nuk mund ta kuptojmë se pse të njëjtit nuk punojnë si të them me një dinamikë më të madhe edhe të prodhojnë rezultate më konkrete nga të cilat pastaj do të përfitonin qytetarët. Secili përvjetor i ardhshëm, i cili do ta gjente vendin me një normë më të madhe të zhvillimit ekonomik dhe me një varfëri më të vogël, me një papunësi më të vogël, natyrisht se do të kishte kuptim shumë më të madh se sa përvjetori i nesërm.

EO: Përfaqësues të bizneseve kanë kërkuar nga Qeveria që të behtë Ligji për tregti të brendshme. Si e shihni ju këtë iniciativë?

Zeka: Kosova tashmë e ka një ligj për tregti të brendshme, ka një iniciativë për plotësim ndryshimin e Ligjit për Tregti të Brendshme, besoj se gjatë kohëve ose gjatë viteve sa ligji ka qenë në fuqi edhe MTI-ja, e cila është sponzorisuese e një ligji të tillë, por ata që janë prekur nga dispozitat e një ligji të tillë kanë mundur t’i identifikojnë cilat janë ato dispozita ligjore të cilat nuk kanë rregulluar çështjet e tregtisë së brendshme në mënyrën e duhur dhe besoj se me siguri e kanë parë të nevojshme që i njëjti të ndryshohet, por ne si Odë Ekonomike Amerikane nuk kemi parashtruar ndonjë koment ose kërkesë prandaj nuk mund të komentoj më shumë.

EO: Besoj që keni dëgjuar që kohëve të fundit është kërkuar nga bizneset, por edhe nga vet institucionet e shtetit që duhet të rishqyrtohet marrëveshja e CEFTA-s . A mendoni se Kosova duhet ta rishqyrtojë këtë marrëveshje?

Zeka: Atëherë ajo çka më duhet të them është që për herë të parë në 2013-ën në Këshillin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, është diskutuar çështja e rishikimit të marrëveshjes së CEFTA-s edhe atëherë në bazë të një analize që e pati kryer Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, është konkluduar që është e pamundur që të rishikohet kjo marrëveshje. Ajo çfarë duhet të ndodh është që të gjitha palët nënshkruese të marrëveshjes CEFTA është që të dakordohen për të dalë, pra për të prishur këtë marrëveshje njëherë e pastaj të fillojë negocimi i marrëveshjes dhe nënshkrimi i saj që nga fillimi, gjë që praktikisht e bënë negocimin e marrëveshjes CEFTA në favor vetëm të Kosovës të pamundur dhe si i tillë është i pazbatueshëm.

EO: E dimë që është bërë edhe krijimi i Pakos Fiskale, si e sheh këtë hap, a po dëgjohet zëri i bizneseve?.

Zeka: Realisht prej krijimit të kësaj qeverie në vitin 2014, OEAK-u vazhdimisht ka kërkuar që të kompletohet reforma fiskale e nisur nga qeveria paraprake. Dy vjet pothuajse kanë shkuar pa ndonjë veprim konkret, përjashto këtu ndryshimin e ligjeve tatimore të cilat megjithatë kanë sjellë disa lehtësira për prodhuesit në aspektin e lirimit të makinerive nga detyrimet doganore dhe nga detyrimet tatimore, megjithatë edhe në këtë aspekt jemi mjaft të vonuar. Qeveria edhe Ministria e Financave ka mundur që të bëjë shumë më tepër në aspekt të lirimit të lëndëve të para të cilat përdoren për proceset përpunuese dhe prodhuese nga kompanitë të cilat operojnë në Kosovë, duke ndikuar kështu që të ngritin përparësitë konkurruese të tyre, sidomos karshi prodhuesve të rajonit të cilët janë edhe partnerët kryesorë tregtarë me Kosovën. Është mirë që qeveria ka nisur të flas për pakon 2.0, ashtu siç e ka titulluar, tashmë ka pranuar një sërë kërkesash dhe rekomandimesh nga OEAK-u edhe nga asociacionet e tjera të bizneseve se si duhet të jetë kjo Pako Fiskale. E kemi vërejtur që ka një vullnet edhe të ministrit të financave megjithatë kjo duhet të përmbyllet sa më shpejt që të jetë e mundur. Ne kemi kërkuar që kjo pako mundësisht të përmbyllet brenda muajit shkurt dhe të hyjë në fuqi nga 1 marsi i këtij viti në mënyrë që kur të fillojmë me promovimin e mundësive për investime në vend dhe krahas Ligjit për Investime Strategjike të kemi edhe një element tjetër të cilin e përmendim para investitorëve të huaj.

EO: A mendoni që ndryshimet në politikat në pakot fiskale po bëjnë njëfarë ndryshimi për bizneset kur e dinë ata që nuk mund të jenë të njëjta në vitin e ardhshëm, a duhet me i ngut ma shpejt?

Zeka: Natyrisht që i pengon edhe planifikimit biznesor të bizneseve, sidomos atyre prodhuesve ju pengon në parashikimet e tyre që mund t’i bëjnë për ekonominë e vitit që planifikojnë. Duhet pasur parasysh një gjë që Kosova ka një buxhet të vogël edhe shkurtimi i cilësdo lehtësirë fiskale mund të pranohet, por ajo që ne nuk e pranojmë është se me një ekonomi joformale që sillet rreth 30 % mendojmë që mund të bëhet edhe më shumë rreth kësaj ekonomie joformale edhe në mbledhjen e më shumë të hyrave. Qeveria është më dorë shtrënguar në lehtësirat fiskale, pra mund të bëhet luftimi i ekonomisë joformale, mund të bëhen lehtësira fiskale për prodhuesit dhe investitorët e jashtëm, dhe përfitimet janë më të mëdha.

EO: Si e keni pa fushatën e asociacionit të bizneseve të Kosovës?

Zeka: Po, fushata e tilla janë të mirëpritura duke ditur që kemi importe të mëdha të artikujve të prodhimeve tona të cilat prodhohen me një cilësi ta lartë. Duhet të punohet në vetëdijen e qytetarëve, ndoshta ata mund të kuptojnë vet rëndësinë e konsumimit të produkteve vendore dhe natyrisht që fushatat e tilla janë të nevojshme. Ajo që duhet të ndërpritet urgjentisht janë fushat negative që prodhuesit ja bëjnë njëri-tjetrit dhe duhet të përmendi rastin e fundit për matjen e këtij vajti të palmës në produktet e qumështit, prodhuesit në këtë rast me fushata negative dëmtojnë njëri-tjetrin janë të paparashikueshme dhe nuk dëmtojnë vetëm njëri-tjetrin, por tërë sektorin dhe prekin të gjitha produktet vendore dhe këto fushata me tendenca negative duhet të ndërpriten.

Të ngjashme