Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Izmi Zeka, ka pritur në takim një delegacion të Bashkimit Evropian. Në kuadër të delegacionit të BE-së, ishin, Gabor Iklody, udhëheqës i Drejtorisë së Departamentit të Menaxhimit të Krizave dhe Planifikimit (CMPD), Xavier Denis nga Drejtoria e Menaxhimit të Krizave dhe Planifikimit (CMPD), Oliver Hoffmann – Divizioni për Drejtimin e Operacioneve (Administrim dhe Planifikim Civil – CPCC), John Manza (NATO), si dhe zyrtarë të tjerë.
Në këtë takim u bisedua sa i përket rolit dhe mandatit të EULEX-it në Kosovë. Sipas një komunikate nga MPB, zëvendësministri Zeka theksoi qasjen e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të institucioneve të Kosovës sa i përket vlerësimit të punës së misionit të EULEX-it në Kosovë sa i përket Gjyqësorit dhe policisë, transmeton Ekonomia Online.
“Si institucione të reja misioni i EULEX-it na ka ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve për rrugën tonë të qartë. Megjithatë të gjithë misionet kanë një afat dhe ky mision ka përmbyllur me sukses rolin e tij në zbatimin e ligjit në Kosovë”, theksoi zëvendësministri Zeka.
Zëvendësministri Zeka vuri në pah se institucionet e zbatimit të ligjit në Kosovë kanë kapacitete të plota dhe janë të afta për menaxhimin e çfarëdo situate, megjithatë asnjë shtet, as Kosova nuk mund të funksionojë pa ndihmën e BE-së dhe ShBA-së.
Ai në fund theksoi se tashmë edhe grupi ndërministror është dukë bërë një vlerësim të punës së këtij misioni dhe në bazë të vlerësimeve që do të dalin, do të shikohet forma e bashkëpunimit në të ardhmen.