Zelanda e Re fillon skemën e re për armët gjysmë-automatike

Prishtinë | 20 Qer 2019 | 14:11 | Nga Ekonomia Online

Zelanda e Re ka nisur zbatimin e skemës së re të blerjes së armëve, pas sulmit të përgjakshëm me armë zjarri, që ka ndodhur muaj në parë në dy xhami në Kristçërç.

Më shumë se 208 milionë dollarë janë ndarë për t’i kompensuar pronarët e armëve gjysmë-automatike, të cilat janë ndaluar pas sulmit të muajit mars, që ka lënë të vdekur 51 persona.

Kjo shumë e parave është konsideruar e mjaftueshme për të kompensuar ata që posedojnë armë për gati 95 për qind të çmimit fillestar.

Zelanda e Re ka ndryshuar ligjin për armët vetëm disa javë pasi kanë ndodhur të shtënat.

Kjo skemë, që do të zbatohet vetëm për personat që kanë armë të licensuara, do të zgjasë gjashtë muaj, që nënkupton se banorët e këtij shteti kanë kohë deri me 20 dhjetor për të dorëzuar armët.

“Kjo skemë ka vetëm një synim: të largojë nga qarkullimi armët më të rrezikshme”, ka thënë ministri për Polici, Stuart Nash.

Më 15 mars, australiani, Brenton Tarrant, një supremacist i vetëshpallur, ka sulmuar xhamitë Al-Noor dhe atë Lindvud në Kristçërç.

Ai është akuzuar për vrasje të 51 personave, si dhe ngarkohet me padi për tentim-vrasje të 40 personave të tjera.

I dyshuari ka thënë se është i pafajshëm, derisa procesi gjyqësor ndaj tij, pritet të fillojë vitin e ardhshëm.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme