Zelensky mohon se ka bërë pazare me Trumpin

Prishtinë | 02 Dhj 2019 | 15:20 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, mohoi se ka bërë pazare me presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të hetuar rivalin politik të Trumpit, Joe Biden.

“Unë definitivisht nuk kam folur me presidentin amerikan në mënyrën e tillë si: ti më jep këtë, unë të jap këtë”, tha Zelensky për gazetën gjermane, Der Spiegel.

Trump akuzohet se i ka bërë presion Zelenskyt për të hetuar Bidenin për korrupsion në Ukrainë.

Dyshohet se Trump e ka kushtëzuar ndihmën ushtarake për këtë vend, në këmbim të informacioneve për Bidenin.

Dyshimet e tilla kanë bërë që demokratët në SHBA të nisin procedurat për shkarkimin e presidentit, i cili është republikan dhe do që të garojë për rizgjedhje, vitin e ardhshëm.

Trump e mohon çdo keqbërje, por kërkimi i ndihmës nga jashtë për të fituar zgjedhjet në SHBA, është akt i paligjshëm.

Trump i cilëson hetimet kundër tij si “gjueti shtrigash” nga demokratët dhe disa media.

“Unë nuk dua që Ukraina të jetë një pjesë në tabelën e shahut të fuqive të mëdha”, tha Zelensky për Der Spiegel.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme