Zelensky u përgjigjet kërcënimeve të Iranit për të sulmuar Ukrainën: Asgjë e re, nuk kemi frikë

Prishtinë | 17 Mar 2026 | 16:46 | Nga Ekonomia Online

Ukraina nuk i sheh kërcënimet nga përfaqësuesit e regjimit të Iranit për të sulmuar territorin e saj në përgjigje të mbështetjes së Kievit për vendet e Lindjes së Mesme si diçka të re ose të rëndësishme.

Një vlerësim i tillë mund të nxirret edhe nga deklaratat e presidentit Volodymyr Zelensky, gjatë një interviste me The Jerusalem Post, raporton Ukrinform, përcjell Telegrafi.

“Asgjë e re. Kam dëgjuar gjatë këtyre katër viteve shumë mesazhe të ndryshme”, ka thënë ai, duke komentuar kërcënimet e Iranit kundër Ukrainës për mbështetjen e saj për vendet e Gjirit.

I pyetur nëse kishte frikë nga paralajmërimet, ai tha se ukrainasit kanë jetuar me kërcënime të tilla për vite me radhë.

“Jo, ne nuk [kemi frikë] nga asnjë lloj mesazhi të tillë”, tha Zelensky. “Ne jetojmë me mesazhe të tilla çdo ditë… Kjo është arsyeja pse nuk është diçka e re për ne”.

Ai theksoi gjithashtu se paqëndrueshmëria në Lindjen e Mesme po nxitet nga regjimi në Teheran, ndërsa shumica dërrmuese e iranianëve kundërshtojnë luftën dhe kërkojnë një jetë normale.

“Mendoj se shumë njerëz në Iran, në të vërtetë civilë, duan të jetojnë një jetë normale dhe të jenë të lirë”, ka thënë më tej ai.

Sipas Ukrinform, Ministria e Jashtme ukrainase i përshkroi si absurde kërcënimet e kreut të komitetit parlamentar të sigurisë kombëtare iraniane, Ebrahim Azizi, për të nisur sulme me raketa ndaj Ukrainës në përgjigje të mbështetjes së saj për Izraelin.

Të ngjashme