Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka mbajtur konferencë për medie ku ka njoftuar rreth shpalljes së konkursit për specializim, raporton Ekonomia Online.
Ministri i MSh-së, Armend Zemaj, ka thënë se pas 4 vitesh hapet konkursi për shkollim specialistik.
Ai ka thënë se ky konkurs është hapur për 1034 persona, i ndarë në dy grupe, ku njëri grup menjëherë do të kyçet në luftën kundër pandemisë.
“Kam kënaqësi qe të jap lajmin për hapjen e specializimit, për shkollim specialistik që ka qenë i bllokuar për katër vite me radhë. Është projekti më i rëndësishëm ku për 4 vite katër gjeneratave ju është mohuar specializimi. Prandaj duke qenë të vetëdijshëm që është një numër i madh ne kemi shfrytëzuar të gjitha mundësitë dhe shpallim konkursin për 1034 vende. Në ketë konkurs ne kemi ndarë dy kategori të specializimit që janë të nevojshme kundër COVID-19, ku menjëherë do të kyçen në institucionet shëndetësore”, u shpreh Zemaj.
Zemaj ka thënë se specializimet do të hapen çdo ditë dhe nuk do të mbetet asnjë kandidat pa shkollim specialistik.
Ai ka thënë se kanë respektuar çdo pikë të ligjit për shëndetësi dhe ka bërë thirrje që të gjithë ta përkrahin këtë proces.
“Ne kemi respektuar çdo pikë dhe presje të ligjit për shëndetësi dhe i lus të gjithë ta përkrahin këtë proces. Unë nuk do të lejoj asnjë grup interesi që të pengojë të rinjtë të avancohen dhe të shkollohen”, është shprehur Zemaj, raporton EO.