Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se heqja e masës së vetizolimit ishte e detyrueshme për shkak të kapaciteteve të vogla të Kosovës, por edhe fluksit të madh të qytetarëve.
Ai ka treguar për përvojën e tij sa i përket shëndetësisë.
Zemaj: Heqja e vetizolimit e detyrueshme, mbi 13 mijë qytetarë kanë hyrë në Kosovë për 3 ditë
“Ndoshta edhe ju e quani befasi sepse profilet diskutohen edhe në aspektin politik. Pjesa tjetër ndërlidhet me kohën e gjatë që kam qenë në Kuvend. Puna ime ishte në disa funksione që më shumë iu adresuan legjislacionit, por e harruat se kam qenë edhe anëtar i Komisionit për Shëndetësi, 2008-2010. Puna e Kuvendit është dinamike, politike, s’do të thotë se nuk adresohen profilet profesionale”, ka thënë ai. “Sa i përket punës sime në Kuvend. Lidhet edhe me angazhimin profesional”, ka thënë ai në KTV.
Megjithatë, ai synon që ta shtojë efikasitetin sa i përket sistemit shëndetësor.
“Është pjesa më e mirë e punës dhe përkushtimit tim, mbi çështjen edhe programore se si duhet të avancohet një sistem shëndetësor, por mbi të gjitha edhe struktura organizative brenda Ministrisë së Shëndetësisë, brenda asaj që quhet shëndetësi primare deri te ajo terciale”, ka thënë Zemaj.
Zemaj ka thënë se heqja e masave ishte vazhdimësi e qeverisjes së kaluar dhe kjo është bërë me rekomandimet nga IKSHPK-ja.
“Asnjë lehtësim të masave nuk e kam marrë para masave që i ka ndërmarrë Qeveria e kaluar. E vetmja masë, kufizimi nga ora 9-5 nuk ka qenë masë e respektuar. Faza e tretë ka nisur përnjëherë. Njerëzit tërësisht janë liruar”, ka thënë Zemaj.
Kurse sa i përket masës së vetizolimit pas hyrjes në Kosovë përmes pikave kufitare të vendosur nga Qeveria Kurti, Zemaj, thotë se ajo masë as nuk ka qenë e mbikëqyrshme as e respektuar.
“Vetëm në tri ditët e para kur kam ardhur ministër ka pas një fluks prej 13 mijë bashkatdhetarëve që kanë hyrë në Kosovë dhe iu rekomandohet që të futen në vetizolim, ne duhet t’i kemi 25 mijë policë ose 5 mijë inspektorë që duhet ta përcjellin këtë dinamikë që është e pamundshme”, ka thënë Zemaj.
Dhe për këtë janë detyruar që ta heqin këtë masë.
Ai ka paralajmëruar se do të angazhojnë edhe 200 profesionistë shëndetësorë në fund të kësaj jave.
Kurse për rritjen e rasteve me COVID-19 në Kosovë ai thotë e ka ndodhur për shkak të mosdisiplinës, derisa ka lavdëruar punëtorët shëndetësorë për punën që kanë bërë, duke përmendur këtë edhe ish-ministrin Arben Vitia.
“Këto janë raste kontakti dhe nuk ka ndonjë rrezik. Nuk kam pas mundësi falënderimi ndaj ministrit të kaluar, sepse nuk më është dorëzuar detyra nga Arben Vitia, kurse detyra më është dorëzuar nga administrata. Duhet të ngritim paralele me zhvillimet në rajon. Nga festa e Bajramit ka pasur një mosdisiplinë. E kemi rastin e Vushtrrisë që një person ishte i infektuar dhe pastaj janë infektuar familjarët e tjerë. Edhe në Prishtinë është pjesë e mosdisiplinës familjare”, ka thënë Zemaj.