Zemaj i bën thirrje Qeverisë të gjejë zgjidhje për 1.271 profesionistët shëndetësorë

Prishtinë | 04 Qer 2022 | 13:07 | Nga Ekonomia Online

Ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputeti i Kuvendit nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, i ka bërë thirrje Qeverisë që të gjejë zgjidhje për 1.271 profesionistët shëndetësorë të cilëve do t’u përfundojë kontrata ditëve në vijim.

“Kosova nuk e ka as gjendjen e as luksin të largojë 1.271 zyrtarë nga sistemi shëndetësor. Largimi i kuadrit më besnik dhe më të mirë që u përball me pandeminë, do të ishte padrejtësi. Për fat të keq, kjo mund të ndodhë, të gjithë këta mund të mbesin pa punë, gjatë ditëve në vijim, nëse Ministria e Shëndetësisë nuk ua vazhdon kontratat”, ka shkruar Zemaj në Facebook.

Sipas tij, këta profesionistë shëndetësorë nuk duhet të lejohen t’u drejtohen ambasadave ose të mbesin në rrugë.

“1.271 mjekë, infermierë, laborantë, inspektorë dhe staf mbështetës të angazhuar në luftimin e pandemisë meriton respekt. Respekti institucional, përtej fjalëve të mira, do të ishte vazhdimi i kontratave të tyre. Ndryshe, ikja e kuadrit të arsimuar shëndetësor dhe jo vetëm, është papërgjegjësi e Qeverisë. 1.271 të rinj dhe të reja nuk duhet lejuar t’i drejtohen ambasadave e as të mbesin rrugëve. Qeveria në afat optimal duhet të gjejë zgjidhje për ta”.

Qeveria së fundmi ndau 1 milion e 700 mijë euro për pagesën e 1.271 profesionistëve shëndetësorë për periudhën mars 2022 – qershor 2022. Këta profesionistë u angazhuan gjatë kohës së pandemisë.

Të ngjashme