Zemaj i qartë: Nuk votojmë asgjë pa marrëveshje politike

Prishtinë | 11 Shk 2026 | 17:29 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i LDK-se Armend Zemaj e ka ripërsëritur qëndrimin e kësaj partie se nuk voton asgjë pa një marrëveshje politike, raporton Ekonomia Online.

 “Ne kemi deklaruar gjithmonë atë që e ka parim Lidhja Demokratike e Kosovës, por edhe përcaktim politik. Jemi në një situatë ku kërkojmë të kemi kushtetutshmërinë e institucioneve, por për emrat e përveçëm i takon partisë fituese edhe t’i sigurojë votat sigurisht, por edhe të krijojë mundësi që të kemi institucione të reja dhe mos të vazhdojë me atë bllokadë që e kishim fatkeqësisht për një vit të kaluar. Ju e dini që ne asnjëherë nuk kemi lidhur vendimet tona për emrat e përveçëm, por krejt çka kemi thënë edhe krejt çka kemi vendosur në pjesën përmbajtjesore politike është pa marrëveshje politike, ne nuk votojmë asnjë kandidat”, tha ai.

Ai foli edhe për votimin në pako të nënkryetarëve.

“Kjo është një strategji fatkeqësisht e asaj ndërrimit të pozicioneve të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila në pjesën përmbajtësore të Kuvendit edhe të plotësimit të Kushtetutës së Kosovës, as nuk duhej të ndodhte e as të ishte pjesë e debatit politik ku e lëndon shtetndërtimin e Republikës së Kosovës. Ajo sjellje e tyre, tash kemi edhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Pakoja është pjesë e konsensusit politik që është bërë në parapërgatitjen e partive politike edhe të strukturës së kaluar të Kryesisë, dhe besoj edhe shpresoj që gjithçka do të jetë konform vendimit edhe të deputetëve, por edhe të grupeve parlamentare. Ne do ta zgjedhim atë të cilën e kemi përcaktim. E thashë që pa marrëveshje politike nuk votojmë marrëveshje politike, sigurisht”, theksoi ai.

Të ngjashme