Ministri i Shëndetësisë së Kosovës, Armend Zemaj ka kërkuar nga kompanitë private të sigurimeve të bëjnë kompensimin financiar për klientët e tyre që janë prekur nga Covid-19.
Ai këtë kërkesë e ka shprehur gjatë takimit që ka pasur me guvernatorin e BQK-së, Fehmi Mehmeti.
Zemaj ka thënë kompanitë duhet të përmbushin obligimin me ligj që kanë.
Postimi i plotë i tij:
Në BQK, në takim me guvernatorin, z. Fehmi Mehmeti, adresova çështjen e kompanive private të sigurimeve të marrin në konsideratë kompensimet financiare të shpenzimeve shëndetësore të klientëve, të trajtuar në spitale nga Covid-19.
Kërkova të zbatohen të drejtat e të siguruarve të parapara me ligj, kompanitë t´u përmbahen marrëveshjeve dhe kontratave të sigurimeve me klientët dhe të realizojnë me kohë pagesat duke mos shkaktuar zvarritje.
Ministria e Shëndetësisë, po punon me dinamikë të shtuar për plotësimin e Ligjit për Sigurimet Shëndetësore që sa më parë të jetësohet ky ligj për qytetarët tanë.
Lajm i mirë sot, është miratuar në lexim të parë, Projektligji për Rimëkëmbjen Ekonomike. Tash, presim të krijohen kushte më të mira edhe për përkushtimin tonë kundër virusit.
Rimëkëmbja ekonomike, ka ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetësi. Duke falënderuar deputetët për votim, uroj që edhe leximi i dytë i Projektligjit, të shqyrtohet dhe aprovohet sa më shpejtë!