Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, në një intervistë për Telegrafin, e ka quajtur joserioze letrën e dërguar nga presidenti Hashim Thaçi, për takim të përbashkët me përfaqësuesit e partive politike – para thirrjes së seancës së konstituimit të Kuvendit.
“Letër joserioze, e përgatitur keq, e bërë me hile për t’i thirrur subjektet parlamentare”, ka thënë Zemaj.
Ai mes tjerash ka theksuar se edhe gjatë takimit të sotëm që është zhvilluar nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa (LAA), është diskutuar pikërisht kjo letër dhe hapat e ardhshëm që do t’i ndërmarrin si koalicion.
“Presidenti është i obliguar ta caktojë seancën konstituive, e jo të ketë takime të tilla që mund të përdoret si precedent i keq për të ardhmen. Kjo është zvarritje e qëllimshme”, ka thënë Zemaj, duke shtuar se shumë shpejt LDK do të dalë me njoftim zyrtar për pjesëmarrje apo jo në takimin e thirrur nga Thaçi.