Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj po i quan lajme të mira, vendimet e sotme të Qeverisë në detyrë të vendit, ku kanë ndarë buxhet shtesë prej 10 milionë eurove, për këtë sektor.
Kjo meqë sipas tij, po iu jepet mbështetje personelit shëndetësor, njofton Klan Kosova.
”Dy lajme të mira. Personeli shëndetësor dhe teknik i cili ka qenë i angazhuar për menaxhimin e pandemisë, do të përfitojnë edhe mbështetje financiare.
Kjo u bë e mundur sot nga vendimi i Qeverisë për ndarjen e mjeteve financiare në vlerë prej 10 milion eurove, të cilat mjete po ashtu do të dedikohen edhe për blerjen e materialeve dhe aparaturave mjekësore.
Falënderoj edhe një herë të gjithë ata që në forma të ndryshme kanë ndihmuar Ministrinë e Shëndetësisë për menaxhimin sa më të mirë të pandemisë.
Po ashtu, Qeveria ka miratuar edhe vendimin për pagesën e specializantëve me vetëfinancim, nga kategoria ekonomike subvencione dhe transfere”.