Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj ka vizituar sot Federatën e Futbollit të Kosovës për të folur për fillimin e mundshëm të stërvitjeve te të gjitha kategoritë e futbollit.
Ai atje u prit nga presidenti i kësaj federate, Agim Ademi, si dhe sekretari i përgjithshëm, Eroll Salihu, njofton Klan Kosova.
FFK u zotua para Zemajt se do të respektojë protokollin strikt për të ruajtur shëndetin e futbollistëve në rast se do të lejohet zhvillimi i aktiviteteve sportive që tashmë veçse janë ndaluar.
Po ashtu, gjatë këtij takimi krerët e FFK-së e njoftuan ministrin për situatën shëndetësore dhe nevojën për të filluar me stërvitje të gjitha kategoritë e futbollit, nga shkollat e futbollit e deri te klubet e të gjitha ligave dhe rangjeve, përfshirë edhe futbollin e femrave dhe futsallin.
Drejtuesit e FFK-së theksuan se është shumë e nevojshme që të fillojnë sa më parë stërvitjet përgatitore për kampionatin e ri, ngase garat planifikohet të fillojnë më 12 shtator, kurse ka mbetur shumë pak kohë për ekipet.
Federata thotë se janë vetëm pesë javë para fillimit të kampionatit, që është kohë jo e mjaftueshme për fazën përgatitore.
Zemaj tha se që nesër do ta mbledhë Këshillin për Parandalimin e përhapjes së COVID-19 dhe se “do t’i konsultojë ata për të dhënë një vendim të shpejtë dhe të arsyeshëm, duke pasur parasysh rëndësinë e stërvitjeve, që futbollistët t’i mbajmë në formë”.