Zemaj: Testimet për Covid-19 do të kryhen edhe në gjashtë qendra, kemi oksigjen të mjaftueshëm

Prishtinë | 04 Dhj 2020 | 15:23 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë të ditur se testimet për Covid-19 do të kryhen edhe në gjashtë qendrat rajonale të shëndetësisë publike (Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë) me aparatura të reja PCR për teste molekulare, të blera me huamarrje nga Banka Botërore, raporton Ekonomia Online.

Zemaj tregoi se ky projekt ka kushtuar 1 milion e 752 mijë e 210 euro.

Ai me këtë rast ka bërë thirrje që mos të bëhet panik sa i përket furnizimit me oksigjen, duke siguruar se do të shtohen kapacitetet edhe për rreth 20 mijë litra.

“Të nderuar qytetarë, më lejoni të ju informoj se Republika e Kosovës, në sistemin shëndetësor, siguron oksigjenin e mjaftueshëm për pacientët tanë, pa panik dhe pa ndërhyrje, sepse, është detyrim yni”.

“Të gjitha institucionet tona shëndetësore, bëjnë furnizimin e rregullt me oksigjen, duke garantuar jetën e pacientëve tanë, konform ligjeve. Paniku për oksigjen është i pabesueshëm, andaj, qytetarët dhe të gjitha pacientët e spitaleve regjionale, duhet të besojnë se siguria e pacientëve është maksimale, ndryshe, penalizimi është i pashmangshëm”.

“Oksigjeni është furnizim elementar, prandaj jo vetëm për të por për të gjitha nevojat e pacientëve, ne jemi këtu”, u shpreh Zemaj.

Sa i përket vaksinës sezonale, ai tha se do të blihen edhe 50 mijë doza të tjera, raporton EO.

“Vaksinimi për qytetaret për grip sezonal po vazhdon dhe kemi blerë edhe 50 mijë doza të tjera”.

Më pas ministri ka bërë të ditur se në zonën e kuqe nga e premtja do të jenë 21 komuna, 10 në të verdhën e 7 në të gjelbrën.

“Ne çdo javë rishikojmë edhe rangimin e komunave për të parë se cilat komuna kemi në zona. Zonat janë 21 në të kuqe në të verdhën janë 10 kurse në të gjelbër janë 7 komuna”.

NDRYSHIMET NË KATEGORIZIMIN E KOMUNAVE:

NGA 04.12.2020 DERI MË 11.11.2020

Në zonën e kuqe janë 21 komuna: Prishtina, Fushë -Kosova, Graçanica, Gjakova, Zveqani, Zubin Potoku, Obiliqi, Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Lipjani, Kamenica, Drenasi, Kllokoti, Vitia, Podujeva, Peja, Vushtrri, Shtime, Ferizaj, Gjilan.

Në zonën e verdhë janë 10 komuna: Suhareka, Shterpca, Klina, Hani i Elezit, Skënderaj, Istogu, Parteshi, Rahoveci, Prizreni dhe Ranilluga.

Në zonën e gjelbër janë 7 komuna: Malisheva, Deçani, Novo-Berda, Kaçanik, Junik, Dragash dhe Mamushë.

Shpjegim:

Zona e kuqe: Mbi 150 të infektuar brenda javës në 100.000 banorë

(Kufizimi i lëvizjes nga ora 19:00-05:00)

Zona e verdhë: 70-150 të infektuar brenda javës në 100.000 banorë

(Kufizimi i lëvizjes nga ora 18:00-05:00)

Zona e gjelbër: Deri në 70 të infektuar brenda javës në 100. 000 banorë

(Kufizimi i lëvizjes nga ora 20:00-05:00)

Fjala e plotë e ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj:

Të nderuar qytetarë, medie e gazetarë,

Faleminderit që në vazhdimësi keni përcjellë aktivitetet e Ministrisë së shëndetësisë, ministrit, por edhe situatën epidemiologjike në vend.

Më lejoni që në radhë të parë të ju shpreh ngushëllime familjeve të viktimave të cilët humbën jetën në betejën me Covid-19, ndërsa të infektuarve me këtë virus vdekjeprurës shërim sa më të shpejtë.

Dëshirojmë të ndajmë me ju informacione të mira të cilat shkojnë në favor të rritjes së kapaciteteve tona në luftën kundër pandemisë, konkretisht në rritjen e kapaciteteve testuese.

Ju njoftoj se tashmë në IKSHPK dhe në 6 qendrat rajonale të shëndetësisë publike (Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë) ka filluar shpërndarja e aparaturave të reja PCR për teste molekulare, të blera përmes Projektit të Shëndetësisë Kosovare nga huamarrja nga Banka Botërore.

Deri në fund të javës që vjen, presim që aparaturat të vendosen në të gjitha këto qendra, me që prej dje ka filluar shpërndarja.

Kjo do të thotë se gjatë muajit dhjetor, me trajnimet që do t’i bëjë IKSHPK, në këto qendra rajonale do të fillohet me testime molekulare. Gjakova me gjasë në janar, derisa qendrat e tjera në dhjetor..

Me sigurimin e këtyre aparaturave, numri i testimeve do të shumëfishohet dhe diagnostikimi i COVID bëhet edhe më i shpejtë në çdo pjesë të vendit.

Informata tjetër është se krahas aparaturave për PCR në IKSHPK dhe në këto qendra do të fillojë të bëhen edhe testime serologjike, për të mësuar më shumë për statusin imunologjik të popullatës në raport me COVID.

Aparatet për testime serologjike janë dërguar gjatë javës në Qendrat Rajonale të Shëndetësisë Publike (me përjashtim në Prizren ku janë duke kryer disa intervenime në infrastrukturën e laboratorit të tyre dhe kanë kërkuar që aparatin të mos e dërgojmë këtë jave, por ditëve në vijim.

Pra, me sigurimin e këtyre pajisjeve të cilat shoqërohen edhe me kite, materiale shpenzuese dhe pajisje tjera ndihmëse, ne po rrumbullakojmë një proces shumë të rëndësishëm në shtrirjen e hulumtimit, gjurmimit aktiv, testimit dhe diagnostikimit të COVID, me çka po e mbajmë edhe premtimin e dhënë.

Ky projekt për testimet, i realizuar përmes Bankës Botërore ka kushtuar 1 milion e 752 mijë e 210 euro.

Në situatën që ndodhemi është e udhës që të kemi informatën e drejtë, të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin dhe assesi mos të krijojmë panik dhe huti në opinion me informata të paqena.

Të nderuar qytetarë, më lejoni të ju informoj se Republika e Kosovës, në sistemin shëndetësor, siguron oksigjenin e mjaftueshëm për pacientët tanë, pa panik dhe pa ndërhyrje, sepse, është detyrim yni.

Të gjitha institucionet tona shëndetësore, bëjnë furnizimin e rregullt me oksigjen, duke garantuar jetën e pacientëve tanë, konform ligjeve.

Paniku për oksigjen është i pabesueshëm, andaj, qytetarët dhe të gjitha pacientët e spitaleve regjionale, duhet të besojnë se siguria e pacientëve është maksimale, ndryshe, penalizimi është i pashmangshëm.

Oksigjeni është furnizim elementar, prandaj jo vetëm për të por për të gjitha nevojat e pacientëve, ne jemi këtu!

Për këtë qëllim, do të rriten kapacitetet duke shtuar vendosur edhe tanke të reja duke shtuar kapacitet edhe përafërsisht për 20 000 litra oksigjen.

Po vazhdojmë me koordinim të plotë edhe me institucionet relevante për mbikëqyrje dhe zbatim të ligjit, për një mbikëqyrje sa më rigoroze të masave.

Vaksinimi i qytetarëve për gripe sezonale është duke vazhduar.

Ashtu siç e kam premtuam, ia dolëm të sigurojmë 165 000 doza të vaksinës për gripin sezonal dhe shumë shpejt do të blejmë edhe 50 mijë sosh.

Vaksinat po jepen në secilën qendër të mjekësisë familjare në komunat e Kosovës.

Jemi duke mbajtur nivelin e komunikimit zyrtar me partnerët ndërkombëtarë GAVI-COVAX) edhe për vaksinën anti Covid-19, ku kemi përkrahjen edhe të OBSH, UNICEF-it dhe institucioneve të tjera që të jemi pjesë e shteteve që e sigurojnë atë. E dini kjo aleancë globale ka listuar Kosovën në mesin e vendeve të cilave do t’u jepet 20% e vaksinës falas, derisa pjesën tjetër do ta blejmë.

Jemi në komunikim edhe me shtete e partnerë të tjerë gjithashtu për vaksinat.

Siç e dini, në bazë të raportimeve rreth situatës epidemiologjike, ne çdo javë rishikojmë edhe rangimin e komunave në bazë të numrit të infektuarve gjatë javës në 100.000 banorë për të vlerësuar se cilat komuna janë në zonën e kuqe, të verdhë apo të gjelbër.

Të ngjashme