Zemaj: Tubimet e njerëzve janë bërë rreziku më i madh, respektoni udhëzimet e Manualit

Prishtinë | 17 Qer 2020 | 11:57 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, përmes një postimi në Facebook ka lutur qytetarët që të respektojnë distancën fizike dhe sociale, pasi që siç ka thënë ai, virusi është “shndërruar si një kërbaç që çdo ditë po godet ndonjë qytetarë”.

Zemaj tha se rreziku më i madh janë bërë tubimet dhe grumbullimet e njerëzve, prandaj arma më e mirë është ruajtja e distancës.

Tutje, Ministri bëri thirrje që të gjitha institucionet publike e private të respektojnë udhëzimet e “Manualit për mbrojtjen nga përhapja e virusit Covid-19”.

Postimi i plotë:

Në këtë mengjes të punes, tek po lexoj informacionet e medieve vendore dhe të vendeve tjera, po shohim se Covid-19 vazhdon të jetë pelerina e zezë që po mbështjellë thuajse shumicën e kryetitujve. E në këtë kuptim edhe mendjen tonë.

Ky virus është shqetësimi ynë më i madh aktualisht. Është shndërruar si një kërbaç që çdo ditë po godet ndonjë qytetarë. Që nga fillimi detyrës unë si ministër dhe tërë stafi im me të gjitha kapacitetet po angazhohemi në këtë kryengritje kundër virusit. Por ushtarët kryesor jeni secili nga ju.

Tubimet dhe grumbullimet e njerëzve janë bërë rreziku më i madh.
Në to po fshihet ky virusi i pabesë që pret për t’u shpërndarë dhe atakuar.

Mos respektimi i distancës fizike dhe sociale dhe masave parandaluese të rekomanduara nga IKSHPK, mosmbajtja e maskave dhe dorezave, ditëve të fundit ka rezultuar me rritjen e frikshme të numrit të të infektuarve.
Kjo situatë është krijuar sidomos pas datës 30 maj kur u lehtësuan masat.

Çdokush duhet jetë i vetëdijshëm se virusi vërsulet e shpërndahet në tubime e grumbullime njërëzish dhe përmes kontakteve.
Në këto rrethana është e pamundur mbikëqyrja e përgjithshme.

E vetmja armë e jona kundër këtij virusi është ruajta e distancës fizike e sociale dhe respektimi i masave mbrojtëse dhe parandaluese.

Të gjitha institucionet publike e private duhet rigorozisht të ndërmarrin të gjitha veprimet që dalin nga udhëzimet e “Manualit për mbrojtjen nga përhapja e virusit covid-19”.

Ruaj distancën!
Vendos maskën!
Mbaje higjienen!

https://www.facebook.com/501036319943253/posts/3135016619878530/

Të ngjashme