Ministri i Shëndetësisë dhe zyrtari i lartë i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, është shprehur i rezervuar kur është pyetur në lidhje me çështjen e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani, që kohët e fundit ka kritikuar dhe është kritikuar nga partia – LDK-ja.
Zemaj ka shprehur respektin e tij për Osmanin dhe tha se qëkur ka marrë postin e ministrit nuk është marrë me punët e partisë, por ka thënë se i takon Osmanit që të vlerësojë pozicionin e saj brenda partisë.
Zemaj: Zonja Osmani duhet ta vlerësojë vetë pozicionin dhe qasjen brenda LDK’së
“Prej momentit qe kam shkelur në zyrat e MSH-së, as s’kam pasur mundësinë të takohem e as të bisedoj me ndonjë zyrtar të LDK-së rreth temave dhe zhvillimeve”, ka thënë ai në KTV.
Zemaj tha se në LDK lejohet mendimi ndryshe. Tha se edhe ai vetë ka pasur mendim të kundërt në disa raste me strukturat udhëheqëse.
“Është toleruar mendimi ndryshe gjithnjë, edhe atëherë kur është votuar kundër qëndrimeve të Kryesisë, edhe unë kam votuar kundër. Zonja Osmani duhet të vlerësojë vetë pozicionin dhe qasjen brenda LDK-së, ajo personalisht është pjesë e mekanizimit udhëheqës, është nënkryetare. Shpesh herë nëse ka diçka duhet të tejkalohet, me sa kam parë unë nuk është diçka ideologjike”, ka thënë Zemaj.
Ai tha se Osmani gëzon respektin e tij.
“Është e respektuar, si grua pikë së pari. Është kulturë për qytetarët dhe elektoratin e LDK-së. Për këtë jemi partia e vetme pjesë e familjes popullore evropiane. Kjo është përgjegjësi shtesë për zonjën Osmani dhe strukturat e LDK-së”, tha Zemaj.