Deputetja e AAK-së, Donika Kadaj Bujupi, i ka kërkuar ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, që nga sot të shfuqizojë kërkesën për pagesë në hyrje të QKUK-së.
Kadaj-Bujupi në seancën e sotme të Kuvendit ka propozuar që të hiqet pagesa në hyrje-dalje të QKUK-së, pasi që shuma që duhet të paguhet është e lartë për qytetarët.
“Të hiqen pagesat në hyrje të QKUK-së prej 1 euro, aty çdo orë shtohen 50 centë në parking. Dikush i kalon 3-4 orë aty dhe të paguhen këto shuma në këtë kohë pandemie është mjaft e lartë për qytetarët. Ministri Zemaj ta shfuqizojë kërkesën për pagesë sa herë që hyjnë dhe sa herë që dalin në QKUK”, ka thënë Kadaj Bujupi.
Deputetja e AAK-së ka propozuar që donacionet me maska që kanë arritur në Kosovë të shpërndahen në Universitetin e Prishtinës për studentët të cilët janë në kohë provimesh.
“Kemi marrë donacione të mjaftueshme me maska dhe masa tjera mbrojtëse. Studentët në UP të furnizohen me maska, dërgoni në të gjitha fakultetet, dhe biblioteka sepse është kohë provimesh”, ka thënë ajo.